Showbiz

Ermal Meta: “Rrënjët nuk fshihen, jam krenar që jam shqiptar”

Ermal Meta është bërë pjesë e programit të mëngjesit “Wake Up” nëpërmjet një lidhjeje telefonike për të folur mbi rrugëtimin e tij në festivalin e Sanremo.

Këngëtari me origjinë shqiptare ka treguar se është kontaktuar në qershor nga Fabrizio Moro për të bërë një bashkëpunim për në Sanremo. Ai ka shtuar se tema dhe mesazhi që kënga përcjell lidhet me një ngjarje të ndodhur muaj më parë.

Ermali tregoi se pas sulmeve terroriste në koncertin e Ariana Grandes bëri që një pjesë e mirë e fansave dhe dëgjuesëve të mos vinin më në koncertet e tyre. Gjithashtu pezullimi nga konkurimi në Sanremo ishte një zhgënjim i madh për dyshen e këngëtarëve të cilët janë përpjekur të tregohen sa më transparent gjatë audicioneve duke treguar se refreni i këngës ishte ripunim i një kënge tjetër.

Sa i përket faktit që një shqiptar arriti të triumfojë në një festival me përmasa kaq të mëdha sa Sanremo, Ermal Meta theksoi se rrënjët nuk fshihen.

“Unë jam shqiptar dhe kjo është një gjë që nuk mund ta fsheh sepse rrënjët nuk fshihen kurrë” -ka përfunduar Ermal Meta ndërkohë që fitorja e tij i siguroi biletën për në Eurovizion.