Bota Rajoni

Europianët presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Spanjë!

Europianët presin që drejtuesit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Granadë të Spanjës. Rreth 50 liderë europianë pritet të takohen gjatë ditës së sotme në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Europian, me fokus përmirësimin e bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.

I treti takim i tillë organizohet për t’iu dhënë shteteve mundësi që ta zgjerojnë dialogun përtej kufijve të bllokut europian me 27 anëtarë. Ky organizim synon të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.

Tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë, si dhe ndërmjet Armenisë e Azerbajxhanit, përbëjnë fokusin e diskutimeve.

Në kohën e rritjes së tensioneve Kosovë-Serbi, sot ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock udhëton drejt vendit tonë ndërsa deklaroi se “situata në rajonin e Ballkanit është shqetësuese”. Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i prezantuar më 2014-ën për të promovuar bashkëpunim mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në prag të një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor,  kryediplomatja gjermane Baerbock do të bisedojë me liderët e Kosovës e Serbisë, si dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve të ulin tensionet.  Zyrtarja e lartë u shpreh se Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Sipas saj, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbëjnë hap fillestar të rëndësishëm, por se duhen marrë hapa shtesë drejt uljes së tensioneve.

Në Berlin, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se për momentin nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s atje, KFOR. Në kuadër të KFOR-it, aktualisht janë të angazhuar 71 trupa të Gjermanisë.