Sport

Ferrari dominon, Leclerc do të niset i pari në Çmimin e Madh të Monacos!

Charles Leclerc do të niset i pari në Çmimin e Madh të Montecarlos. Ashtu si në provat e lira, piloti monegask i Ferrarit shkëlqeu edhe në provat zyrtare në cirkuitin e shtëpisë së tij, duke vendosur kohën më të shpejtë.

Një performancë mjaft të mirë bëri edhe piloti tjetër i Ferrarit, Carlos Sainz, që do të niset i dyti, ndërsa menjëherë pas dy makinave të kuqe, do të startojnë ato të Red Bull, me Sergio Perez që vendosi kohën e tretë më të mirë dhe Max Verstappen, i katërti.

Në rreshtin e tretë do të jenë dy pilotë britanikë si Lando Norris me McLaren dhe George Russell me Mercedes, ndërsa Lewis Hamilton kaloi një tjetër pasdite të komplikuar, duke vendosur vetëm kohën e tetë më të mirë, shumë larg kreut.

Pas fundjavës së kaluar në Barcelonë, ku nuk e përfundoi garën për shkak të një defekti në paketën e furnizimit, Leclerc do të provojë të rikthehet te fitorja në shtëpinë e tij, në Monaco, aty ku shpreson që edhe shoku i skuadrës, Sainz t’i mbrojë krahët, duke vonuar sa më shumë kampionin në fuqi, Max Verstappen.

Çmimi i Madh i Monacos do të startojë nesër në orën 15:00 dhe të gjithë abonentët e DigitAlb do të mund ta ndjekin në kanalin RTSH Sport, pjesë e paketës së platformës më të madhe sportive në Shqipëri.