Aktualitet

Festat e fundvitit, sekuestrohen kapsolla e fishekzjarre me fuqi plasëse të lartë!

Në prag të festave të fundvitit, Policia e Shtetit merr masa për ndalimin e kapsollave dhe fishekzjarreve, me fuqi të lartë plasëse. Njoftohet se deri tani është sekuestruar një sasi e madhe e tyre. Plani i masave parashikon kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarreve, për të mos rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve.

Njoftimi zyrtar:

Plani i masave parashikon kontrolle të vazhdueshme, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit, të lëndëve piroteknike e fishekzjarreve, për të mos rrezikuar qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe jetën e shëndetin e qytetarëve.

Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, në prag të festave të fundvitit,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, zbatimin me rigorozitet të detyrave të përcaktuara në planin e masave, detyra të cilat konsistojnë në:

-Zbatimin me rigorozitet të planeve të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, nga subjektet e licencuara, si dhe

-Intensifikimin e kontrolleve në territor dhe në këtë kuadër, ndihmës specialistët e Policimit në Komunitet/SPZ-të, patrullat e përgjithshme, ndihmës specialistët për kontrollin e armëve, duhet të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentimin e tyre dhe bllokimin e sendeve të kundërligjshme.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.