Aktualitet

Fier, goditet grupi kriminal që trafikonte mjete luksoze të vjedhura në Zvicër!

Policia e Fierit njoftoi se ka goditur një grup kriminal që dyshohet se vidhte automjete luksoze në Zvicër dhe më pas i trafikonte në vendin tonë për t’i shitur. Kjo realizohej nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Autorët u identifikuan dhe u shpallën në kërkim nga uniformat blu. Eshtë fjala për katër persona, mes tyre një shqiptar i moshës 36-vjeç, dy shtetas nga Mali i Zi, 27 e 32-vjeç, si dhe një rumun 37-vjeç.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Po ashtu, në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se gjatë operacionit policor u sekuestrua një automjet luksoz, tip “Benz”, prodhim i viteve të fundit, me vlerë rreth 100 mijë euro. Ndërkaq, po punohet për gjetjen e sekuestrimin e të tjera makinave të vjedhura e të trafikuara në Shqipëri. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i Policisë Fier: 

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Mbështetjen Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se disa shtetas, të organizuar si grup, vidhnin automjete në Zvicër dhe më pas i trafikonin në Shqipëri, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe shpalljen e tyre në kërkim.

Konkretisht, u shpallën në kërkim shtetasi shqiptar A. M., 36 vjeç, shtetasi rumun V. C., 37 vjeç dhe dy shtetasit malazez, S. H., 32 vjeç dhe S. H., 27 vjeç. Vijon puna intensive për kapjen e tyre. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin automjete në Zvicër dhe më pas falsifikonin dokumentet e automjeteve, për t’i trafikuar në Shqipëri, me qëllim shitjen.

Policia ka sekuestruar një prej automjeteve të vjedhura nga këta shtetas dhe vijon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të tjera të vjedhura e të trafikuara në Shqipëri, nga ky grup. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.