Showbiz

Flet për herë të parë babai i Ermal Meta-s: “Asnjë pëllëmbë nuk mbaj mend ta kem qëlluar”

Babai i këngëtarit të famshëm shqiptar Ermal Meta ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të pastrojë reputacionin e tij.

Ai ka bërë publike një letër drejtuar të birit ku kërkon të përballet me të e ku e ndjen të nevojshme të sqarojë se ai nuk ka qenë i dhunshëm.

Në një intervistë për ‘Report TV’, Gëzim Meta flet hapur për marrëdhënien e krisur që ka me të birin dhe nëse ky i fundit pranon ta takojë, ai do t’ia falë fjalët e rënda që ka thënë publikisht nëpër intervista si edhe tek disa nga këngët e tij.

Sipas Gëzimit, Ermali ka qenë dëshmitar i shumë skenave që kanë ndodhur gjatë procesit gjyqsor me mamanë e tij. Asokohe ai ishte vetëm 9-vjeç dhe përjetimi që i bëri gjyqit ishte shumë i madh, ndaj e quan veten të dhunuar.

“Asnjë pëllëmbë nuk mbaj mend ta kem qëlluar për arsye se të tre fëmijët që ne kishim, ishin të mbarë” ,-tha ai duke shtuar “Të vinte njëherë si burrat dhe të më thoshte o baba cila është arsyeja?! Të fliste si burri burrit, ai nuk më njeh, njeh vetëm anën e depresionit që ne kaluam si familje” ,përfundoi Gëzim Meta.

Edhe pse Ermali deri tani nuk ka pranuar ta takojë, babai i tij ndihet krenar për të dhe suksesin që ka arritur duke theksuar se talentin për të kënduar e ka trashëguar nga vetë ai.