Bota

Franca shkon në balotazhin presidencial, Macron-Le Pen!

Fituesin e presidencialeve në Francë do ta përcaktojë balotazhi i 24 prillit. Dje në raundin e parë, nuk pati rezultat të ngushtë mes presidentit aktual Emmanuel Macron dhe rivales së Frontit Kombëtar, Marine Le Pen. Madje, me mbi 27% të mbështetjes, Macron përmirësoi me katër pikë rezultatin e 2017-ës. Marine Le Pen siguroi më shumë se 23% të votave në raundin e parë.

Por, Macron nuk e ka me nxitim për të shpallur fitoren e në mesazhin para mbështetësve që e pritën me ovacione, deklaroi:

Asgjë nuk është vendosur ende! Dy javët e ardhshme janë vendimtare për Francën dhe Europën. Bashkohuni me ne, për të krijuar një lëvizje të gjerë politike bashkimi e veprimi!

Nuk humb kohë as Le Pen. Me premtimin për të rivendosur rregullin në Francë në 5 vitet e ardhshme, apeli i saj drejtuar zgjedhësve që dje nuk votuan Macron-in, gjithashtu është për bashkim!

Në garën presidenciale në Francë u bënë pjesë 12 kandidatë dhe i treti doli Jean-Luc Melenchon, nga e majta radikale. Ai kishte një apel për balotazhin:

E dimë kë nuk duhet të votojmë kurrë, asnjë votë e vetme për zonjën Le Pen.

Në fakt, llogaritë tregojnë se diferencën do ta bëjnë mbështetësit e Melenchon-it dhe Macron iu ka kërkuar “të bllokojnë ekstremin e djathtë”. Për të, shkuan rreth 22% të votave kryesisht nga grupmosha e personave 18-34/vjeç. Vendi i katërt për ish-gazetarin e ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, ndërsa u shembën përfundimisht partitë tradicionale. Rezultate shumë të dobëta për republikanët e socialistët, respektivisht me më pak se 5 e 2%.

Tashmë, sytë janë kthyer nga sfida e 24 prillit për duelin Macron-Le Pen. Pesë vjet më parë, shefi aktual i Elizesë shënoi një triumf të vërtetë me 66% të votave e kësaj here, sondazhet e shohin avantazhin në kuotat 54% për Macron-in kundrejt 46% për Le Pen-in, shifra të mjaftueshme që ai të vazhdojë i qetë në krye të shtetit.