Aktualitet

Furtuna i këput litarët e ankorimit, ja çfarë ndodh me tragetin e Brindizit në Vlorë!

Momente paniku në Vlorë për një traget me 129 pasagjerë në bord, që nuk arriti të ankorohet, për shkak të motit të keq. Trageti i linjës Brindizi-Vlorë nuk mundi të ankorohet mëngjesin e sotëm në port, për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të mëdha. Sapo u akostua në port, u këputën të gjithë litarët dhe mjeti lundrues doli përsëri në radën e Vlorës, në pritje të përmirësimit të kushteve hidrometeorologjike. Sipas Kapitenerisë së Portit, pritet që me përmirësimin e kushteve atmosferike të mundësohet ankorimi. Sipas të dhënave zyrtare, në traget ndodhen 129 pasagjerë dhe 35 anëtarë të ekuipazhit, të cilët nuk kanë mundur të zbresin dhe janë duke qëndruar në det të hapur.

Moti i keq dhe deti i dallgëzuar ka shkaktuar vonesa edhe në nisjen e trageteve nga Durrësi drejt Barit. Trageti i parashikuar për të lundruar në orën 23:00 të mbrëmjes së kaluar, është nisur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm. Ndërsa trageti i linjës së Ankonës, i parashikuar për t’u nisur në orën 19:00, është nisur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar. Nuk paraqiten probleme në krahun tjetër të Adriatikut, ku tragetet janë nisur në oraret e parashikuara dhe kanë mbërritur, po ashtu, mëngjesin e sotëm në Durrës në orar.

Në Durrës, reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar probleme në shëtitoren “Taulantia”. Një pjesë e saj u mbulua nga leshteriku dhe uji, duke e bërë të pakalueshme për qytetarët, ndërsa një bovë është shkëputur duke përfunduar në vijën bregdetare të kësaj shëtitoreje. Ndërkohë në breg është nxjerrë e ngordhur edhe një breshkë detare e llojit “Kareta-Kareta”.

Shirat intensivë të ditëve të fundit, nga sot do t’i lënë vendin kthjellimeve në territorin shqiptar, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm e variojnë nga -2 në 13 gradë celcius. Teksa masat siberiane i drejtohen Ballkanit, era e ftohtë verilindore bën që i ftohti të ndihet edhe më shumë. Era fryn me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior-verilindor. Në brigjet detare krijohet dallgëzim 5 ballë.