Celebrities Live From Tirana Music

Gala Dragot sjell këngën “Dry Kitchen” me një mesazh shumë aktual për shoqërinë sot!

E ftuar në “Live From Tirana” nëpërmjet një lidhje telefonike, ka qenë Gala Dragot. Ajo është një ndër artistet më të talentuara edhe pse ende e re në moshë. Së fundmi ajo ka publikuar këngën e saj “Dry Kitchen”, e cila mban dhe një mesazh të veçantë, për të cilën na ka folur vetë më shumë…

Sapo ke publikuar këngën “Dry Kitchen”, si po e përjeton dhe cilat janë emocionet e tua?

Është si ëndërr. Nuk më duket realitet dhe nuk mendoj se duhet të duket si realitet. Po jetoj ëndrrën time dhe është shumë bukur. Jam shumë e lumtur.

Si lind një këngë, çfarë të frymëzon ty?

Ka shumë gjëra, pafund. Ka shumë gjëra për të folur dhe që të prekin.

Cilat janë disa tematika që ty të pëlqen të shkruash?

Ka disa tematika që unë shkruaj shumë. “Dry kitchen” ishte për një person që është i fiksuar pas social media. Është gjë shumë aktuale që e shoh tek njerëzit përreth meje. Por më pëlqen të shkruaj dhe për dashurinë, natyrën, shumë gjëra.

Si është raporti yt me social media, a je përballur me gjuhë urrejteje?

Mund të kesh një lidhje shumë direkte me publikun. Kjo është një gjë e mirë. Ka ndodhur që jam përballur me komente negative, por nuk më ndikon.

Çfarë këshille do i jepje dikujt që po vuan nga bullizimi në rrjete sociale?

Do i thoja që nuk ka arsye për të urryer dikë. Një person që përdor gjuhën e urrejtjes ka problem me veten. Bëni çfarë të doni, por mos i jepni energjinë tuaj. Nëse ata të kanë inat, është problemi i tyre.

Si e kanë përjetuar familja jote emocionet e kësaj kënge kur e kanë dëgjuar?

E kisha shkruar para 3 vitesh, në Paris, kur isha 15 vjeçe. E gjithë familja ishte në studio dhe po e dëgjonin. E pëlqyen shumë dhe gjithashtu dhe mesazhin që përcillte.

A do të sjellësh këngë të reja së shpejti?

Po. Tani do punoj shumë për muzikë të re.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Dry Kitchen”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.