Aktualitet

Gjoba për “kartelin” e miellit! Autoriteti i konkurrencës gjobit 4 kompani me 100 mijë dollarë

Pas dy vitesh hetim dhe monitorim, Autoriteti Konkurrencës ka njoftuar gjobitjen e katër kompanive të miellit. Autoriteti është shprehur se këto kompani funksionojnë si kartel dhe fiksojnë çmimet në bashkëpunim me njëra – tjetrën dhe do të gjobiten me 100 mijë euro në total.

Por, ajo që bie në sy në këtë vendim është se gjoba jo vetëm vjen e vonuar, por është dhe ndjeshëm më e ulët se çfarë ishte parashikuar, pasi një vit më parë Autoriteti propozonte që kompanitë të penalizoheshin në vlerën e 5 milion eurove.

Hetimet për kompanitë e miellit filluan në 2020-ën dhe një vit më vonë, Autoriteti doli në konkluzionin se kishte sjellje të bashkërenduar mes kompanive duke fiksuar çmimet në import, por edhe në tregtim. Por, në mënyrë surprizuese në atë kohë nuk vendosi gjobë, pasi tre anëtarë të Autoritetit, ku ndër to përfshihej edhe kryetari aktual Denar Biba votuan kundër idesë.

Gjoba ishte në vlerën 5 milion euro, por sipas anëtarëve që ishin kundër ata nuk kishin prova mjaftueshëm për ta vendosur dhe kështu kompanitë u falën. Në këtë mënyrë Autoriteti vendosi vetëm që t’i mbajë nën monitorim edhe një vit.

Vendimet e Autoritetit sollën reagime të ashpra nga radhët e opozitës, por edhe të mazhorancës, ku deputeti Erion Braçe faljen që iu bë kompanive një vit më parë e quajti një banalitet në favor të privatëve.

Institucioni gjithashtu ka qenë i paaftë për të mbajtur nën kontroll rritjen e pakontrolluar që i ka ndodhur çmimit të miellit në një vit, ndërsa vendosja e bashkërenduar e çmimeve sjell fitime marramendëse për këto kompani ashtu siç është procuar tashmë prej dy vitesh.

Ndërkohë që Autoriteti ul masën e gjobës për këto kompani, qytetarët shqiptarë po paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë çmimin e bukës, nga 20 – 50 lekë më shumë, ndërsa edhe të gjitha nënproduktet e tij si byreku janë rritur në mbarë vendin.