Rajoni

Greqia nuk do të dorëzojë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë!

Greqia nuk do të dorëzojë asnjë sistem të mbrojtjes ajrore “Patriot” apo “S-300” në Ukrainë. Kjo u bë e qartë nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë.

Greqia nuk do të dërgojë as sisteme të mbrojtjes “S-300” dhe as “Patriot” në Ukrainë.

Shefi i qeverisë së Athinës vuri në dukje se “tashmë Greqia ka ofruar pajisje të ndryshme mbrojtëse në mbështetje të Ukrainës” ndërsa shtoi se “Athina nuk mund të furnizojë Kievin me sisteme armësh që janë me rëndësi vendimtare për vetë vendin”.

Intervista me televizionin “Skai” vjen pas raportimeve të fundit që sugjeronin se disa liderë në Bashkimin Europian kishin ushtruar presion ndaj Greqisë për të ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Mitsotakis konfirmoi se ishin bërë hetime dhe se Athina është e gatshme të furnizojë mallra të tjera.

Qëndrimi i tij mund të jetë për shkak të ndezjeve të përsëritura të tensioneve midis Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat sovrane në Egje e shfrytëzimin e fushave të mundshme të gazit natyror në Detin Mesdhe në lindje.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan vazhdimisht ka vënë në dyshim sovranitetin e Greqisë mbi disa ishuj grekë vitin e kaluar, duke përfshirë Rodosin, Samosin e Lesbosin.

Ndërkaq, sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën, mediat amerikane raportojnë se administrata Biden po planifikon një paketë të re të ndihmës ushtarake me vlerë miliarda dollarë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit rus. SHBA-të po përgatiten të nënshkruajnë një paketë të ndihmës ushtarake afatgjatë prej 6 miliardë dollarësh.

Kësti do të jetë pjesë e ndihmës ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të miratuar nga Kongresi Amerikan këtë javë. Sipas raportimit, planet do të bëhen publike gjatë një takimi virtual të Grupit të Kontaktit të udhëhequr nga Amerika për të mbështetur Ukrainën.

Por, kjo nuk pritet të jetë një ndihmë e menjëhershme.

Dy ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi një paketë të re të menjëhershme ushtarake që arrin në 1 miliard dollarë e që kryesisht përfshin pajisje për mbrojtjen ajrore, artileri, sisteme raketore dhe automjete të blinduara nga stoqet e ushtrisë amerikane.

Dy përfaqësues të qeverisë amerikane raportuan se 6 miliardë dollarët përfshijnë kontrata që do t’u jepen kompanive amerikane të mbrojtjes për të ndërtuar pajisje të reja për Ukrainën si pjesë e një programi financimi të SHBA-ve.