Aktualitet

Hapet tregu i ri publik i Farkës, Krifca-Veliaj: Kushte dinjitoze, çmime më të lira!

Hapet tregu i ri publik i Farkës. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se AgroPark Tirana është vepër dhe hap i sigurt drejt zhvillimit rural e sigurisë ushqimore. Tregu do të jetë një hapësirë e nevojshme për fermerët e konsumatorët që mund të shesin e blejnë produkte, duke shkurtuar kosto kohore e financiare. Eshtë një sipërfaqe mbi 6 mijë metra katrorë tregtimi dhe magazinimi për 66 operatorë të produkteve të fruta-perimeve. Një treg ditor për 33 mijë fermerë e një sipërfaqe totale prej 25 mijë katrorësh, në dispozicion të fermerëve e shefave të kuzhinës.

Kjo vepër është me standarde të larta të sigurisë ushqimore vendase dhe të përputhura me standardet e BE-së, sepse ushqimet tregtohen në sipërfaqe që brenda kanë pika frigoriferike, që i ruajnë produktet ushqimore. Për më tepër, nëse deri më sot këto ushqime dhe prodhime operoheshin në kushtet faktike të një monopoli, tashmë kanë mundësi të tregtohen me çmime shumë konkurruese.

Ne duhej të ofronim një sipërfaqe tregtare model në bazë të eksperiencës europiane, për të ndërtuar këtë qendër të re bujqësore, për ta bërë më të mirë dhe të lirë jetën e konsumatorëve tanë që jetojnë në qytet, por kanë pretendime që prodhimet ushqimore duhet t’i marrin sipas standardeve të BE-së.

Me këtë treg kemi një qendër ku do të bashkohen tregtarët e shumicës me ata të pakicës, fermerët ditorë me konsumatorët finalë të Tiranës. Do të jetë një pol shkëmbimi informacioni dhe nevoje ku do të trajtohet kërkesa me ofertën e një zinxhir më i shkurtër tregtimi, që do të garantojë dhe çmime shumë herë më të mira për konsumatorin final.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se gjatë fundjavës, ky treg do të kthehet në një panair për fëmijët dhe qytetarët që duan të mësojnë më shumë rreth tokës, frutave e perimeve.

Ky treg nuk pengon rrugën askujt. Eshtë e rëndësishme të na lejohet të vazhdojmë me projektin e  Unazës së Madhe. Sot më vjen mirë që institucionet janë bërë të gjitha bashkë.