Bota

Hetim në Berlin ngjarjes së djeshme me një viktimë e 9 të plagosur, autori jep deklarata konfuze!

Në kryeqytetin gjerman Berlin, hetuesit po përpiqen të kuptojnë deklaratat “konfuze” të dhëna nga personi që dje me makinën e tij tip “Renault” shtypi disa nxënës, duke shkaktuar një viktimë dhe nëntë të plagosur.  Në ngjarjen e një dite më parë, të regjistruar në njërën prej rrugëve më të frekuentuara të kryeqendrës gjermane, Berlin, mbeti e vdekur një grua, e cila ishte mësuese dhe po shoqëronte një grup nxënësish. Autoritetet në Gjermani thanë se “gjashtë persona kanë pësuar dëmtime serioze, duke iu rrezikuar jetën”. Lëndime morën edhe tre të tjerë.

Në timon ishte një 29-vjeçar, shtetas gjermano-armen, që jeton në Berlin. Ai u arrestua menjëherë, pasi makina që drejtonte u përplas me vitrinën e një dyqani.

Kryetarja e Bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey, tha se “autoritetet kanë përcaktuar se ishte një akt i neveritshëm nga një person që kishte ngarkesë të rëndë psikologjike”. Për RBB Inforadio, zyrtarja nënvizoi se “hetuesit po punojnë për të përcaktuar kontekstin dhe nëse ndonjë gjë tjetër ka ndikuar te drejtuesi i automjetit”. Po ashtu, “me ndihmën e një ndërmjetësi gjuhësor, po përpiqen të mësojnë më shumë për deklaratat e tij e që janë pjesërisht konfuze”.

Ndërkohë, zyrtarja e lartë e sigurisë në Berlin, Iris Sparnger, bëri të ditur se “në makinën e shoferit u gjetën disa materiale ku ai shprehte qëndrimet për Turqinë”. Por, njëherazi saktësoi se nuk ka “marrje të përgjegjësisë” për ngjarjen e rëndë.

Kryetarja e Bashkisë Berlin, Giffey u shpreh se “autoritetet nuk e dinë nëse këta postera kanë ndonjë lidhje me incidentin e një dite më parë”.
Rruga ku ndodhi incidenti i 8 qershorit është shumë pranë vendit ku në vitin 2016, një makinë me drejtues një ekstremist islamik hyri mes turmës dhe shkeli kalimtarët në një treg Krishtlindjesh, duke vrarë 13 prej tyre. Për këtë sulm, përgjegjësinë e mori grupi militant, Shteti Islamik.