Bota

Gjermania kërkon mbështetje për Ukrainën/Ministri Pistorius në Amerikë e Kanada!

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius bëri thirrje për mbështetje të mëtejshme të përbashkët për Ukrainën. Apeli erdhi në fillim të udhëtimit të tij me fokus politik e ushtarak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada. Gjatë ndalesës së tij të parë në Nju Jork, Pistorius theksoi kontributin e shtuar të Gjermanisë në NATO. Ministri gjerman takoi përfaqësues të Komitetit Hebre Amerikan, i cili përfaqëson interesat hebraike.

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të lejohet të largohet nga lufta e tij brutale e agresionit. Kjo është një çështje nëse dhe si demokracitë mbrojnë veten.

Pistorius shtoi se kjo është çështja më e rëndësishme strategjike e Europës dhe se sulmi është gjithashtu kërcënimi më i madh për rendin ndërkombëtar. Deri të premten, politikani i qendrës së majtë dëshiron të diskutojë situatën e sigurisë globale me partnerët e NATO-s, Amerikën e Kanadanë, si dhe të bëjë të qartë angazhimin e shtuar të Gjermanisë kundrejt Aleancës.

Nesër, Boris Pistorius do të takojë homologun amerikan, Lloyd Austin në Uashington dhe të premten pritet të zhvillojë bisedime me ministrin kanadez të Mbrojtjes, Bill Blair.

Ukraina po lufton një pushtim të gjithanshëm rus që nga 24 shkurti i vitit 2022, me ndihmën ushtarake dhe financiare perëndimore.

Zyrtarët ukrainas thanë se ushtria ruse ka goditur infrastrukturën e rëndësishme të Ukrainës në të paktën gjashtë rajone e kjo ndodhi gjatë një sulmi të madh në orët e vona të natës e deri herët në mëngjes. Rusia ka lëshuar më shumë se 20 dronë e raketa gjatë këtij sulmi, referuar zyrtarëve. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Burime zyrtare raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk ka informacione për viktima apo të lënduar. Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, e cilësoi këtë si një tjetër sulm të madh në industrinë vendase të energjisë dhe që u krye ndaj gjashtë rajoneve.

Ai theksoi se objektiv i këtij sulmi ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk, si dhe Vinitsia. Numri një i administratës ushtarake në Poltava, Filip Pronin bëri të ditur se një zjarr u ndez si pasojë e një sulmi me dronë ndaj një objekti energjetik në këtë rajon.

Shefi i administratës ushtarake në rajonin jugor, Zaporizhja, aty ku ndodhet termocentrali bërthamor më i madh në Europë, tha se objektiv i bombardimeve ruse ishin “objektet e infrastrukturës civile dhe ato jetike”.

Në Lviv, në perëndim të Ukrainës, guvernatori bëri të ditur se Rusia kreu një sulm ndaj infrastrukturës jetike energjetike në qarkun Strihi e po ashtu kundër një termocentrali në qarkun Çervonohrad.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vuri në dukje në Telegram se Rusia kreu sulme me të paktën 50 raketa e 20 dronë. Ai shtoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit e të Pajtimit, të cilën Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.