Aktualitet

Hiqet sekuestroja e anijes “Grace Felix” me 22 mijë litra naftë! Prokuroria e Durrësit urdhëron largimin nga ujërat shqiptare!

Anija “Grace Felix” lirohet nga masa e sekuestros, bashkë me të edhe 22 mijë litra naftë të dyshuar si kontrabandë.

Dhjetë muaj pas operacionit të bujshëm “Embargo”, me vendim të Gjykatës së Durrësit, Prokuroria ka lëshuar të shtunën urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal që ia kthen anijen së bashku me naftën e sekuestruar shoqërisë “Solid Energy Solution DMCC” duke kërkuar dhe largimin e saj nga ujërat territoriale shqiptare.

Pas këtij vendimi rrezikon që shoqëria së cilës i përket anija të ngrejë padi ndaj Shqipërisë për dëmin e shkaktuar gjatë kësaj periudhe. Organi i akuzës durrsake nuk mundi të provojë brenda 10 muajve të fundit dyshimet e ngritura për kontrabandë nafte dhe thyerje embargoje, e cila nuk përbën vepër penale në legjislacion tonë

Më 19 shkurt, u organizua operacioni policor “Embargo”, në kuadër të të cilit u bllokua anija me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me mungesa në dokumentacion, sipas njoftimit të policisë. Nafta ishte porositur nga një kompani shqiptare që ka në pronësi dhe Romano Port në Durrës ku do të shkarkohej. Por ndërhyrja e autoriteteve doganore dhe policore pasi konstatuan mungesën e certifikatës së origjinës çoi në sekuestrim të naftës dhe anijes pasi u dyshua se ngarkesa ishte marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Nafta u dyshua se u mor në det të hapur, në ujërat greke, pranë portit të Kalabatës, nga një anije turke.

Pas urdhrit të prokurorisë durrsake, Grace Felix ka nisur lundrimin drejt Greqisë.