Bota

Itali, vdes bosi mafioz Matteo Messina Denaro/U arrestua në janar pas 30 vitesh arrati!

Vuante nga një sëmundje e pashërueshme, vdes Matteo Messina Denaro. Bosi i Cosa Nostras ishte 61-vjeç dhe prej kohësh ka qenë i sëmurë e kurohej për kancerin e zorrës. Ditët e fundit qëndronte i shtruar në një spital burgu në L’Aquila e mësohet se gjendej në koma të pakthyeshme. Mjekët i ndërprenë ushqimin pasi të enjten e kaluar, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm.

Pranë shtratit i qëndruan mbesa dhe avokatja Lorenza Guttadauria, si dhe vajza e vogël Lorenza, e njohur së fundmi ndërsa për herë të parë u takuan në burgun e sigurisë së lartë në L’Aquila, në muajin prill.

Matteo Messina Denaro u arrestua në janar të këtij viti, pas 30 viteve në arrati. Në një reagim, shkrimtari, gazetari e skenaristi italian, Roberto Saviano shkruan:

Matteo Messina Denaro (1962-2023), vrasës. Bosi ka vdekur, Italia vazhdon të jetë një vend me vokacion mafioz.

Një koment edhe nga politikani Pierluigi Biondi:

Vdekja e shefit Matteo Messina Denaro, që ndodhi në spitalin e L’Aquilas, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, e vë theksin në një histori që tregon për dhunën dhe gjakun, vuajtjet e heroizmin.

Matteo Messina Denaro ishte një nga kriminelët mafioz më të kërkuar në botë. I lindur në Castelvetrano, në provincën e Trapanit, Siçili, më 26 prill 1962, ai ishte një nga drejtuesit më të rëndësishëm të familjes mafioze Cosa Nostra, organizatës më të madhe kriminale siçiliane. Matteo Messina Denaro është përshkruar si një figurë atipike në historinë e mafies siçiliane. Ka qenë një nga bosët e parë të mafias që u përpoq t’i shpëtonte arrestimit, duke iu shmangur drejtësisë për vite me radhë e arriti të qëndronte një hap përpara përpjekjeve të policisë për ta kapur.

Para se të bëhej një bos mafioz, Matteo Messina Denaro drejtonte një sërë biznesesh, përfshirë një pikë karburanti e një dyqan ushqimor. Ndërkaq, filloi të ketë sukses në organizatën kriminale pasi u martua me vajzën e bosit të mafias Castelvetrano, Michele Greco në vitin 1987. Me kalimin e viteve, Matteo Messina Denaro u bë gjithnjë e më i fuqishëm në familjen mafioze, një nga promotorët më të rëndësishëm të strategjisë së mafias për të hyrë në tregun ligjor e mori pjesë në disa prej operacioneve kriminale më të mëdha në histori.

Familja Messina Denaro luajti rol kyç në zgjerimin e mafies italiane, me aktivitetet e saj kriminale të shtrira në të gjithë Europën. Matteo Messina Denaro ishte një nga promotorët kryesorë të këtij ekspansioni, duke shfrytëzuar lidhjet e tij me të tjera familje mafioze. Ngritja në pushtet kulmoi me emërimin si kreu i familjes mafioze në vitin 1993, pas vdekjes së Michele Grecos. Që atëherë, zgjeroi më tej ndikimin dhe pushtetin në organizatën kriminale, duke u bërë një nga bosët më të fuqishëm të mafias në Siçili. Me kalimin e viteve, Matteo Messina Denaro u përmend si përgjegjës për dhjetëra vrasje, përfshirë të gjykatësit antimafia, Giovanni Falcone.

Po ashtu, akuzohet për kryerjen e një sërë krimesh financiare, përfshirë pastrim parash, transferta të paligjshme fondesh e shantazh. Nga viti 1993, Matteo Messina Denaro u bë një nga kriminelët mafioz më të kërkuar në botë. Policia italiane dhe ajo ndërkombëtare nisën një aksion për ta kapur. Arrestimi u bë më 16 janar 2023 para spitalit ku do të trajtonte tumorin që e vrau përfundimisht.