Bota

Izrael, zbulohet një pasqyrë greke bronzi e cila daton 2300 vite më parë!

Në një shpellë afër Jerusalemit janë gjetura mbetje njerëzore të djegura si dhe një pasqyrë bronzi e palosshme. Gjetjet janë bërë nga studiues të Universitetit të Tel Avivit dhe Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA). Vendvarrimi vlerësohet se daton diku midis fundit të shekullit të katërt dhe fillimit të shekullit të tretë para Krishtit.

“Nëse jemi të saktë me interpretimin tonë, duket se ky varrim tregon rrethanat shumë unike të asaj që ne e quajmë hetaira, një zonjë greke që shoqëronte një nga zyrtarët e qeverisë heleniste, ose më shumë një gjeneral të lartë”,- shpjegon Guy Stiebel nga Universiteti i Tel Avivit.

Varrimi u gjet në një zonë të largët, nga çdo fshat, fermë apo vendbanim, gjë që, sipas studiuesve, sugjeron se mund të ketë qenë i lidhur me një ekspeditë ushtarake nga koha Aleksandrit të Madh ose pak më vonë. Pasqyra të tilla prej bronzi, të zbukuruara zakonisht me gravura të figurave të idealizuara femërore apo perëndeshave, zakonisht lidhen me gra greke me status të lartë, por mund t’i jenë dhënë edhe një kurtezane si dhuratë. Objekti është ende në analizim.