Pardon My French

Ja pse Eneda Tarifa ka tentuar të largohet nga Shqipëria

Këngëtarja e njohur shqiptare, Eneda Tarifa ishte sot e ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkolli dhe Kejvin Kalo.

Shpesh jemi mësuar ta shikojmë Enedën si moderatore, por ajo nuk e ka lënë pas në asnjë moment edhe pasionin për muzikën. Këngët e saj janë kthyer gjithmonë në hite, gjithashtu ka pasur edhe bashkëpunime të suksesshme. E ftuar në Top Albania Radio, Eneda këtë herë përveç karrierës, prek paksa edhe jetën e saj private.

Bëhet fjalë për largimin nga Shqipëria, që shumë artistë nuk e kanë menduar dy herë këtë fakt, për një të ardhme më të mirë. Por për Enedën, ka ndodhur ndryshe, ajo e ka menduar largimin nga Shqipëria vetëm për një arsye dhe në këtë rast është vajza e saj. Pas shumë këmbënguljeve të vllait të saj, Eneda zbulon se ka tentuar të largohej nga Shqipëria për ta lindur vajzën jashtë vendit dhe t’i dhuronte asaj në këtë mënyrë një jetesë me cilësi më të mirë. Por nuk ndodhi kështu, pas shumë kohe që ju desh të mendohej, ajo vendosi që vajza ta zgjidhte vetë vendin se ku dëshironte të ndërtonte të ardhmen.

E kam menduar, sidomos kur doja të lindja vajzën edhe isha shtatzënë. Vëllai im insistonte dhe më thoshte; po ti hajde, vizën e ke, hajde linde këtu, merr nënshtetësinë të paktën për vajzën, pastaj ja jep edhe të ëmës. Por nuk doja të sakrifikoja kaq shumë, duke menduar që do vijë një kohë që mbase edhe ajo ëndrra amerikane, nuk do të jetë kaq ëndërr sa është për neve. Mund edhe të më thotë që pse e ke bërë këtë sakrificë, kur unë nuk kam dashur të jetoj andej… dua të jetoj në Kinë, për shembull. Le ta bëjë vetë luftën në jetë dhe zgjedhjen!