Aktualitet

Ja shifra e shqiptarëve të deportuar nga Anglia në muajt Janar-Mars 2024!

Mësohen shifrat se sa është numri shtetasve shqiptarë të dëbuar nga Britania e Madhe si persona pa leje qëndrimi. Ministria e Punëve të Brendshme, Home Office, të cilës i referohet Top Channel thotë se gjatë periudhës Janar-24 Mars 2024, janë 700 qytetarë shqiptarë të deportuar. Home Office deklaron:

Ata u riatdhesuan përmes 15 fluturimeve charter nga aeroportet e Birminghamit dhe Lutonit, në drejtim të Rinasit.

Të dëbuarit janë të tre kategorive, po sipas Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme:

Janë ata të cilët përfundojnë dënimet në burgjet angleze, personat që kapen dhe rezultojnë se nuk kanë leje qëndrimi në Britaninë e Madhe, si dhe kategoria e personave të cilëve u refuzohet azili.

Kujtojmë edhe se Home Office ka marrëveshje ripranimi të emigrantëve vetëm me dy vende në Europë e që janë Shqipëria e Rumania.

Gjatë vitit të kaluar, nga Britania e Madhe u dëbuan në total 2 mijë e 501 shqiptarë ndërkohë që pritshmëria e Home Office-it është për ta dyfishuar këtë numër deri në fund të vitit, pra dhjetor të 2024-ës.

Shqiptarët e dëbuar nga Anglia futen në sistemin TIMS, aty ku shënohet edhe arsyeja e dëbimit përfshirë veprat penale për ata që kanë qenë të dënuar. Bazuar në rregullore, atyre iu ndalohet futja në zonën Shengen për tre vjet pasi e kanë përdorur zonën Shengen për t’u futur ilegalisht në Angli.

Statistikat tregojnë se vitin e kaluar, kërkuan azil në Britaninë e Madhe afro 4 mijë shqiptarë, më saktësisht 3 mijë e 898 bashkëkombas. Shifra është dukshëm më e ulët në krahasim me 2022-shin kur raportohej për një numër prej 17 mijë e 340 shqiptarësh. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 13 mijë, patën zbarkuar me gomone./Top Channel