Bota

Japoni, shpërthim gjatë një takimi zgjedhor të kryeministrit Kishida!

Rikthehet frika në Japoni, në më pak se një vit nga atentati që i kushtoi jetën ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe gjatë një takimi zgjedhor. Kryeministrin e vendit, Fumio Kishida truprojat e larguan me urgjencë nga vendi ku po mbante një fjalim pasi u dëgjua një shpërthim aty pranë dhe tymi u përhap në zonë, pranë portit Saikazaki në prefekturën Wakayama, në perëndim të Japonisë.

Shefi i qeverisë së Tokios u dërgua në një vend të sigurt dhe raportohet se një person u arrestua në vendngjarje.

Përveç panikut nuk pati të lënduar nga hedhja e bombës tymuese. Kishida gjendej në Saikazaki për të mbështetur kandidatin e partisë Liberal-Demokrate në zgjedhjet lokale.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet japoneze po përpiqen të hedhin dritë për të zbardhur ngjarjen. Paraprakisht dyshohet se ishte thjesht veprim i momentit i një personi me probleme të shëndetit mendor. Pas disa orëve, kryeministri japonez Fumio Kishida rinisi aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore e bëri një deklaratë:

Pati një shpërthim të fortë, policia po heton për të zbuluar më shumë detaje, por unë do të doja të kërkoja falje dhe për faktin që shumë njerëz u shqetësuan e po ashtu u ndjenë keq.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, shihen disa punonjës të policisë duke ndaluar një person që besohet se është i dyshuari.

Sulmet e dhunshme janë jashtëzakonisht të rralla në Japoni, por duhet theksuar se kohët e fundit ekziston një nevozizëm për sigurinë e politikanëve, pasi ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua për vdekje ndërsa ishte në fushatë zgjedhore, vitin e kaluar.