Personazhe që i kemi pëlqyer dhe mund të na kanë shenjuar periudha të ndryshme të jetës nëpërmjet artit apo ndikimit të tyre në publik, vijnë me një stil shumë personal interviste në “Ku ke humbur?”. I ftuar sot në një intervistë me Jonida Aliçkolli, ishte Agon Nimani, i njohur ndryshe Ice Boy.
Një artist shumë i dashur për publikun, me disa prej këngëve hit akoma edhe sot, Nimani u shpreh për jetën artistike, largimin nga muzika, familjen e shumë të tjera. Jeta përtej muzikës, çfarë vendi zë arti vizual dhe inteligjenca artificiale në jetën e Agon Nimanit?!
Kam fituar një bursë për në Amerikë për inteligjencën artificiale. Pasi të kthehem nga andej, dua ta fus lëndë në shkollë inteligjencën artificiale. Nuk jam kundër. Ajo është e nevojshme, por nuk i zëvëndëson njerëzit.
Një artist me kuptimin e plotë të fjalës, Nimani u shpreh për artin vizual.
Kjo ekspozita “Një perspektivë ndryshe” ka qenë e rastësishme, nuk jam shumë për ekspozim të punës sime. Merrem me shumë projekte. Një nga sukseset më të mëdha ka qenë kur më ftuan në një nga muzetë në Nju Jork. Kam marrë pjesë me një ekspozitë, ka qenë kulmi i karrierës.