Bota

Ju njohim me racat e rrezikshme të qenve që ndalohen në Evropë!

Së fundmi kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi se qeveria e tij ka marrë vendimin që të ndalojë racën e qenve American XL Bully deri në fund të vitit, pas një numri të lartë të sulmeve të këtyre qenve kundrejt njerëzve. American XL Bully është një racë relativisht e re, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara në vitet 1980. Fillimisht ishte një përzierje midis American Pitbull Terrier me American Staffordshire Terrier, por tani përfshin edhe raca të tjera.

Kjo racë njihet për pamjen e fuqishme dhe mund të peshojë deri në 60 kg. Këta qen janë të paligjshëm në Francë, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; ndërsa në vende të tjera, duke përfshirë Irlandën, ekzistojnë rregulla strikte që duhet të mbyllen dhe të mbahen me litarë kur janë në publik. Në Mbretërinë e Bashkuar janë ndaluar edhe katër raca të tjera; Pitbull Terrier, Japanese Tosa, Dogo Argentino dhe Fila Brasileiro.

Qeni më i ndaluar në Evropë është pitbulli. I njohur si vrasësi kryesor i fëmijëve nga të gjithë qentë, ky qen është i ndaluar ose ka kufizime për mbajtjen e tij në shtete si Danimarkë, Francë, Gjermani, Norvegji, Poloni, Portugali, Rumani, Spanjë, Zvicër dhe Turqi. Japanese Tosa konsiderohet gjithashtu qen i rrezikshëm dhe është i ndaluar në disa vende evropiane për shkak të natyrës së tij. Austria, Danimarka, Franca, Islanda, Rumania, Malta, Norvegjia dhe Turqia kanë ndalime ose kufizime ligjore për këtë racë qensh.

Dogo Argentino nuk mund të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar pa autorizim nga qeveria, ndërsa shtete si Danimarka, Norvegjia, Islanda dhe Turqia kanë rregulla që kufizojnë pronësinë e kësaj race. Fila Brasileiro është një racë braziliane, e njohur prej shekujsh për sjellet agresive, ndalohet gjithashtu në disa vende evropiane.

Qen të tjerë që përfshihen në kategorinë e qenve të rrezikshëm dhe janë ndaluar ose ka kufizime për mbajtjen e tyre janë Rottweiler, Alabai, Kangal, Caucasian Shepherd, Tornjak, Tosa Inu, etj.