Celebrities Gossip Showbiz

“Ju o lodra të kurdisura…” Kozeta Kurti shpërthen ndaj Për’puthen!

Për’puthen tashmë është kthyer në kryefjalën e ditës, sidomos pas deklaratave të bujshme që bëhen brenda dhe jashtë emisionit. Personazhet e këtij programi shpesh kanë krijuar konflikte, ofendime, kërcënime, madje edhe akuza shumë të rënda.

Një rrëmujë kjo që po vihet re nga të gjithë, zëra lart e poshtë që trokasin tek çdo njeri dhe normalisht kemi dëgjuar reagime të shumta nga jashtë, si  nga njerëz të thjeshtë por edhe nga persona publikë, e fundit që ka reagur është gazetarja e njohur, Kozeta Kurti.

Në profilin e saj të Instagramit, Kozeta ka postuar dy video në të cilat duken qartë rastet kur konkurrentët akuzojnë njëri-tjetrin që luajnë rolin e aktorit, madje deri aty ku duhet të konkurrojnë për çmim Oscar.

Këto situata që janë përsëritur kaq shpesh kanë tërhequr vëmendjen e gazetares, Kozeta Kurti, e cila e shoqëron postimin me një shkrim posaçërisht për Për’puthen apo Për’leshen siç e quan ajo…

Teatri në gojën e “Për’ puthen- (leshen)”

Rujna zot të kishte mbetur në duart e tyre!

Jo, nuk më ka dalë mendja të shpenzoj pasditet e mia duke parë “Përputhen”. Mund të parazitoj me sytë ngulur në mur e të mos më vijë hiç keq për kohën e shkuar dëm, krahasuar me varësinë ndaj këtij falsiteti, ku s’di as ku ka dashuri, as ku ka seks, as ku ka show, as dreqin, si mund të ndikojnë këta në biznes.

Dhe as do kisha marrë mundimin t’i merrja diellit të pranverës së sotme, as edhe një sekond, nëse një mikeshë e imja, nuk do të më dërgonte montazhin e kësaj videoje, ku çdo meskiniteti, mediokriteti, mungese sinqeriteti, të pavërtete i vendoset emri: Teatër (diku edhe me emër: Teatri “Migjeni”) Akademi Artesh, aktrim, aktor-e etj.

Ju o lodra dhe kukulla të kurdisura nga ato të teatrove të kukullave, në duar produksionesh televizive (teknikisht po flas, se në përmbajtje, s’po kam dëshirë të përshkruaj çfarë lodrash e kukullash jeni) nuk mund ta adresoni paaftësinë tuaj, edhe sikur veç për të luajtur, në një fushë që as e keni idenë se çfarë është dhe në padijen tuaj, ju FYENI! Falë zotit, e bëni nga padija, injoranca!

Por si të thuash, nuk mund të pritet shumë as nga ju, as nga ata që ju “mitizojnë” ju, për sa kohë që informacionin e vetëm e merrni duke bërë scroll në instagram, kryesisht në faqe veshjesh e brand-esh që kanë nevojë për vizibilitet, “kallp” edhe ato, njësoj si vetë ajo që ju përfaqësoni në publik.

E di pse s’mund të jeni ju, Teatri, Akademia, aktrimi?

Sepse ata kanë lindur për të jetuar dhe për t’u kujtuar në breza e histori!

Kurse ju…. ju jeni ca flluska që shfryheni përpara se të fryheni!

 

Pas këtij postimi kanë shpërthyer menjëherë komente që e mbështesin dhe ndajnë po të njëjtin mendim si Kozeta.