Aktualitet

Ka rënë sistemi TIMS? Reagon Policia e Shtetit: Funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar!

Informacioni se në Rinas ka rënë sistemi TIMS dhe është krijuar kaos, është i pavërtetë, thotë Policia e Shtetit.

Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë, sipas njoftimit.

“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim, parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore”, thekson Policia e Shtetit.

Kujtojmë se tre pika të kalimit kufitar me Greqinë do të jenë të mbyllura për dy ditë, për shkak të protestave nga sindikatat greke.

Nga data 2 prill prej orës 05:30, deri më datë 4 prill në orën 05:30, pikat doganore greke në Kakavijë, Tre Urat, Përmet, dhe Qafë Botë dhe Sarandë do të jenë të mbyllura.

Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve, por vetëm i  këmbësorëve pa bagazhe dhe automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Sipas policisë, të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt shtetit grek, në këtë periudhë kohore duhet të përdorin pikat e tjera të kalimit për në shtetin grek.

Njoftimi i plotë i policisë:

Qendra e Bashkëpunimit Policor në Greqi, ka njoftuar Policinë e Shtetit, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pikat doganore greke në Kakavijë, Tre Urat, Përmet, dhe Qafë Botë, Sarandë, do të jenë të mbyllura për shkak të protestës nga sindikatat greke. Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.

Në këtë kuadër, të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt shtetit grek, në këtë periudhë kohore, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Kakavijë, Tre Urat Përmet dhe Qafë Botë Sarandë, të përdorin pikat e tjera të kalimit për në shtetin grek.

Me qëllim moskrijimin e konfuzionit në këto pika kalimi, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve që janë të interesuar për të lëvizur në drejtim të Greqisë, që të ndjekin udhëzimet e Policisë. Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera për çdo ndryshim, si dhe në rast se do të ketë bllokim edhe në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.