Aktualitet

Kakavijë, përfundojnë Pashkët nis kthimi i emigrantëve në Greqi!

Pas përfundimit të Pashkës ortodokse në vendlindje bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë nisur kthimin për në shtetin fqinj.

Gjatë ditës së hënë në sportelet e daljes në doganën e Kakavijës është regjistruar fluks në rritje i këmbësorëve dhe automjeteve që udhëtojnë në drejtim të Greqisë.

Sipas Policisë Kufitare në Gjirokastër, janë regjistruar 3902  shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 2162 në hyrje dhe 1740 në dalje, si dhe 1265  mjete në hyrje-dalje, nga të cilat  643 në hyrje dhe 622 në dalje.

Për evitimin e radhëve të pritjes në kufi Policia Kufitare në Kakavije po punon me 4 sportele në hyrje 3 në dalje në bazë të fluksit të lëvizjes në kufi, ndërkohë edhe pala greke po punon me ritme të përshpejtuara. Fluksi i lëvizjes në doganën e Kakavijës pritet të regjistrohet edhe gjatë ditëve në vazhdim.