Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

Berisha dhe mbështetësit e tij shkojnë në selinë blu, lëvizja vjen pasi gjykata njohu statutin e 11 dhjetorit

Pasi Gjykata e Tiranës njohu sot statutin e 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, grupi i Rithemelimit vendosi që të shkojë drejt selisë së PD-së.

Pak minuta më vonë atyre ju bashkua edhe ish-kryeministri Berisha.

Vendimi erdhi pas mbledhjes që grupi i rithemelimit bëri për pak çaste në zyrat pranë RTSH-së.

Më pas, disa prej anëtarëve të këtij komisioni, Edmond Spaho, Belind Këllici, Flamur Noka, Elda Hoti, Albana Vokshi, Ivi Kaso, iu drejtuan selisë.

Mësohet se përfaqësuesit e “Foltores” kanë hyrë në zyrën e kryetarit të komanduar të PD Enkelejd Alibeaj dhe Sekretarit të Pergjithshem Gazment Bardhi ku ka nisur një takim mes tyre.

Në një prononcim të shkurtër për mediat para nisjes së mbledhjes së  Komisionit të Rithemelimit, Berisha iu drejtua me një mesazh për bashkim demokratëve.

“Në vlerësimin e çdo shqiptari nuk mund të ishte ndryshe. Por duhet  ti thuhet të drejtës e drejtë. Mesazhi për demokratët është një dhe vetëm një; bashkim, bashkim, bashkim. Do të dal në një takim të shkurtër prapë“, tha Berisha.