Aktualitet

Kompensimi i çmimeve të materialeve të ndërtimit, Kuvendi shtyn shqyrtimin e Aktit Normativ!

Nga rendi i ditës së seancës së sotme plenare, Kuvendi hoqi shqyrtimin e Aktit Normativ nr.10 datë 15.5.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”. Ky Akt u vendos të shqyrtohet në seancën e ardhshme plenare. Kërkesa për shtyrje të këtij Akti Normativ erdhi nga deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.

Ju sapo njoftuat se në mbledhjen e sotme është dhe akti normativ për disa tendera. Sot është e pamundur që të shqyrtohet, pasi në përputhje me rregulloren, pa mbaruar punë të gjithë komisionet, një akt i tillë s’mund të vijë në Kuvend. Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Sociale, ky projektligj nuk u shqyrtua dot, jo për mungesë dëshire, por se përfaqësuesit e qeverisë që duhej të mbronin ligjin, e patën të pamundur që të vinin për shkak të impenjimeve të tjera. Kjo është shkelje, pasi një akt i tillë s’mund të vijë në sallë. S’do ndodhë asgjë e jashtëzakonshme, pasi zbatimi i rregullores është minimal. Duhet të shtyhet ky akt!

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se palët janë dakord që ky Akt Normativ të diskutohet e miratohet në seancën e radhës.

Kërkojmë shtyrje, shtyrja të bëhet deri javën tjetër. Duke qenë se java tjetër është java e gjelbër, ndaj biem dakord që kjo javë të shtyhet. Data 2 korrik është afati i fundit i shqyrtimit të Aktit Normativ. Duke qenë se kemi dakordësi të dy grupimeve më të mëdha, PS dhe PD, kjo çështje të shtyhet me këtë shënim që të zhvillohet seanca në datën 30.

Kryetari i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj:

Rregullorja është akti që mban në këmbë veprimtarinë e Parlamentit. Ende nuk është marrë mendimi i njërit prej Komisioneve. Të gjitha komisionet kanë të drejtë të japin mendimin dhe për këtë pikë, kjo po, duhet të shtyhet! Por, se kur duhet të diskutohet, këtë nuk e përcakton kryetari i grupit të PS-së. Shtyrja me një javë nuk qëndron, qeveria ka pasur detyrimin ta paraqiste në Parlament. Eshtë bërë praktikë që miratohen akte duke i hequr të drejtën legjislative. Pse qeveria e sjell me vonesë, kjo nuk është arsye për ta shtyrë siç propozon kreu i grupit të PS-së. Për pjesën e parë, po do të duhet të shtyhet!