Aktualitet

Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit/ Mes tetë personave të arrestuar, edhe ish-deputeti Mark Frroku!

Mes tetë personave të arrestuar ditën e djeshme për konfliktin në Kepin e Rodonit është edhe ish-deputeti Mark Frroku.

Ata u arrestuan nga policia e Durrësit për çështje pronësie, pas një sherri që degradoi deri në të shtëna me armë.  Disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut, përfaqësues të kishës katolike.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike, shtetasit N. S., Mark Frroku, M. L. dhe P. D., po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Parku i Kepit të Rodonit ndodhet nën kontrollin e Kishës Katolike, e cila ka vendosur traun dhe merret me administrimin e zonës.

Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, të cilët pretendojnë se e kanë po për këtë pronë. Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje dje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.

Administratorja e kishës pretendon se me armë kanë qëlluar persona që flasin në emër të kishës katolike, pasi duan të përfitojnë pronësinë përmes certifikatës false.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore. Më pas, të gjithë personat e sipërpërmendur janë shoqëruar në Polici me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pak javë më parë, situata konfliktuale për shkak të çështjes së pronave në Kep të Rodonit u trajtua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.