Rajoni

Kosova miraton projektligjin e ri për pensionet, përfitojnë 70 mijë pensionistë!

Kosova miraton ndryshimin në ligjin për Skemat e Pensioneve, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të larguar forcërisht nga puna, në vitet 1990. Sipas projektligjit që mori dritën jeshile të qeverisë, kosto buxhetore e këtij ndryshimi do të jetë rreth 60 milion euro në vit.

Pas miratimit të draftit mbi ndryshimin e ligjit për skemat e pensionit të financuara nga shteti, kryeministri Albin Kurti tha se me anë të tij, sigurohet trajtim i barabartë për të gjithë pensionistët, si dhe rritet mirëqenia sociale.

Përmes tij do të adresojmë çështjen e pabarazisë disavjeçare të mosnjohjes së të drejtës pensionale në skemën e pensionit kontribut-pagues të një numri të madh të pensionistëve, të cilët nuk përmbushnin kriterin prej 15 vitesh kontribut në sistemin pensional.

Shefi i qeverisë shtoi se “me këtë ligj, eliminohet padrejtësia ndaj atyre që janë larguar me forcë nga puna, në vitet ‘90”.  Kurti vuri në dukje se garantohet një sistem pensioni “solidar” dhe “i barabartë”.

Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po bëjmë reformën pensionale. Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem solidar e të barabartë, që garanton pensione të qëndrueshme e kujdeset për pensionistët. Kjo skemë zhduk dallimin e margjinalizimin dhe të gjithëve u garanton qasje të mirë sociale. Këtë duhet të bëjë republika e këtë po e bëjmë së bashku.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se me kriterin për 15 vjet përvojë pune para luftës, për t’u kualifikuar si pensionist kontribut-dhënës janë diskriminuar shumë persona, që forcërisht u larguan nga puna në vitet ‘90.

Me këtë ndryshim ne po e zhbëjmë atë diskriminim sepse do t’u mundësohet që për periudhën nga koha kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, t’u llogaritet drejt plotësimi i kushtit prej 15 vjetësh. Vlera e pensionit do të caktohet në varësi të viteve që kanë kontribuar, hiqet kjo pjesa prej 15 vitesh.

Përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.

Teorikisht, duhet të përfitojnë rreth 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të përfituar nga ky ndryshim. Por, duhet të kemi parasysh që disa mund të kenë ndërruar jetë e disa, ende të mos e kenë arritur moshën e pensionit. Aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin e pjesshëm kontribut-pagues të moshës.