Rajoni

Kosova shtrëngon masat anti-COVID, 11 viktima në 24 orë

Në Kosovë, shërbimet e gastronomisë do të pezullojnë aktivitetin nga nesër e deri më 18 prill. Vendimin e mori Qeveria e Kosovës, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “Merr me vete!” apo “Dërgesë me porosi”. Po ashtu, Ekzekutivi vendosi ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit por përjashtim bëjnë rastet emergjente. Masat e reja i ka bërë të ditura Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në Kosovë, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga nesër deri më 18 prill. Ndërkaq, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë jo më vonë se 72 orë para hyrjes në territor.

Në 24 orët e fundit, autoritetet shëndetësore njoftuan për 11 viktima e 512 të infektuar me koronavirus në Kosovë pas kryerjes së 4.718 testimeve. Nga COVID-19 në Kosovë janë 14 mijë 284 raste aktive. 1.926 prej tyre ndërruan jetë.