Aktualitet

KPK shkarkon prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja!

Nuk e konfirmon në detyrë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkon Arjan Ndojën, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës. Sot u zhvillua seanca e KPK-së ku dhe u shpall vendimi për Ndojën nga trupa gjykuese e përbërë nga tre anëtarët Olsi Komici, Xhensila Pine e Firdes Shuli. Pasi analizuan provat dhe faktet për të tre kriteret e vlerësimit, ata vendosën të mos e rikonfirmojnë në detyrë. Prokurori Arjan Ndoja u përball me Vettingun në datën 29 prill 2022, për të tre kriteret e vlerësimit që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale.

Arjan Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 e fillimisht punoi si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga Prokuroria duke u angazhuar si avokat deri më 2008-ën, vit që shënoi rikthimin e tij në sistem. Dy vjet e gjysmë më parë, më 1 nëntor 2019 i shpëtoi një atentati me armë zjarri në autostradën Tiranë-Durrës ku dhe mbeti i plagosur.

Në seancën e para një jave, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK u konstatua se ka të dhëna se Arjan Ndoja ka kontakte me eksponentë të krimit të organizuar, që janë shumë aktivë jashtë Shqipërisë. Prokurori u përfshi në debat duke mohuar gjetjet e ONM-së dhe deklaroi se “nuk është takuar e asnjëherë nuk ka kontaktuar persona të përfshirë në krimin e organizuar”, por nëse gjendet një fakt, ai do të largohej vetë nga sistemi i drejtësisë.

Sipas DSIK dyshohet se Ndoja ka favorizuar persona me precedentë penalë. Në vitet 2009 dhe 2010 rezultoi se ka patur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt prone. Në seancë është përmendur edhe atentati që iu bë në vitin 2019 dhe po ashtu fakti se ai ka qenë në prani të personave të njohur për institucionet ligjzbatuese në vendin tonë.