Bota

Kreu i CIA-s: Lufta në Ukrainë po gërryen pushtetin e Putinit!

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka gërryer kontrollin e Vladimir Putinit mbi pushtetin, ka dëmtuar ushtrinë ruse dhe ka nxitur “pakënaqësi” brenda shtetit”. Kështu tha drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Burns, i cili më herët ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi iu bëri thirrje ligjvënësve amerikanë që të miratojnë paketën e re me armë dhe pajisje për Ukrainën, duke e cilësuar “investim relativisht modern me përftime të mëdha gjeopolitike për SHBA-të dhe për industrinë amerikane”.

Lufta e Putinit është dështim për Rusinë në shumë nivele. Qëllimi i tij i parë për të pushtuar Kievin dhe për të nënshtruar Ukrainën doli të jetë i çmendur dhe iluzion. Ushtria e tij ka pësuar dëme të mëdha. Të paktën 315.000 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur, dy e treta e inventarit të tankeve që Rusia kishte para lufte janë shkatërruar dhe programi i Putinit për modernizmin e ushtrisë nuk është zbatuar. Lufta në Ukrainë po gërryen në heshtje pushtetin e tij brenda vendit.

Deklaratat e Burnsit vijnë kur nisja e pushtimit rus të Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë dhe nuk ka sinjale se lufta është drejt fundit. Putin, i cili pritet të fitojë zgjedhjet presidenciale të marsit, e ka cilësuar “operacionin e posaçëm ushtarak”, terminologjia që Kremlini përdor për luftën në Ukrainë si luftë thelbësore për identitetin historik të Rusisë.

Ekonomia ruse është vënë në shërbim të luftës, qindra mijëra persona janë mobilizuar, shumë rusë të tjerë janë larguar nga shteti, qoftë për të shmangur shërbimin ushtarak apo për të protestuar ndaj shtypjes së brendshme.

Një gjë që kam mësuar është se gjithmonë është gabim të nënvlerësohet fiksimi [i Putinit] ndaj kontrollit të Ukrainës dhe zgjedhjeve të saj. Pa atë kontroll, ai beson se është e pamundur që Rusia të bëhet një fuqi e madhe ose që ai të bëhet një lider i madh rus. Ky fiksim tragjik dhe brutal ka turpëruar Rusinë dhe ka ekspozuar dobësitë e saj, nga ekonomia njëdimensionale e deri te fuqia e saj e fryrë ushtarake apo sistemi i korruptuar politik.

Ukraina përballet me vështirësi në mbajtjen e pozicioneve të saj në fushëbetejë, pasi i dështoi kundërofensiva vitin e kaluar. Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kishin shpresë se ajo kundërofensivë do të kishte sukses, duke u bazuar në trajnimet e ofruara nga NATO-ja, por edhe armët e reja e të fuqishme perëndimore që Kievi ka pranuar.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina tani po tentojnë të marrin pozicione përgjatë vijës së frontit të gjatë prej 1.200 kilometra gjatë dimrit. Disa ekspertë thanë se Rusia do të rimbushë radhët dhe do të jetë në pozitë të tillë që të nisë një ofensivë gjatë verës së këtij viti.