Bota

Kriza në Ukrainë, Biden: “Neni 5 është detyrim i shenjtë!”

Ndërsa përballë rrezikut për një pushtim rus të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për të dërguar mijëra trupa në Europë, në mbështetje të aleatëve të NATO-s, Joe Biden u shpreh se “po tregohet konsistent”. Në një intervistë për CNN-in, presidenti amerikan deklaroi:

Për aq kohë sa Putin vepron me agresivitet, ne do të sigurohemi se mund të garantojmë aleatët e NATO-s dhe Europën Lindore se jemi aty dhe Neni 5 është detyrim i shenjtë!

Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të detyruara të ndihmojnë një tjetër shtet anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet. Rreth 2 mijë trupa amerikane do të vendosen në Poloni e Gjermani. Ata 1 mijë që janë në Gjermani, pritet të zhvendosen në Rumani. Perëndimi dyshon se rreth 100 mijë trupa ruse pranë kufirit me Ukrainën mund të pushtojnë vendin fqinj.

Për Pentagonin, “dërgimi i trupave është sinjal i pagabueshëm para botës, se Shtetet e Bashkuara janë gati për të mbrojtur aleatët e NATO-s” dhe lëvizjet e trupave nuk përbëjnë të vetmin veprim parandalues nga ana e tyre.

Eshtë e rëndësishme që ne të dërgojmë sinjal të fuqishëm te Putini dhe bota, se NATO ka rëndësi për SHBA-të dhe gjithashtu ka rëndësi për aleatët tanë. Amerika mbetet e hapur ndaj përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet e shkaktuara nga pozicionimi i trupave ruse e nuk beson se konflikti është i pashmangshëm.

Në frontin diplomatik, kancelari gjerman, Olaf Scholz planifikon të udhëtojë në Moskë për të takuar Vladimir Putinin, pasi dje, lideri rus pati një bisedë telefonike me kryeministrin britanik. Boris Johnson e paralajmëroi se çdo pushtim në Ukrainë do të përbënte llogaritje të gabuar dhe tragjike.

Në deklaratën e Kremlinit thuhet se “gjatë bisedës telefonike u vërejt mosgatishmëria e NATO-s për t’u përgjigjur në mënyrën e duhur ndaj shqetësimeve ruse”.