Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama reagon për ngjarjet në Kuvendin e Kosovës: Distancohuni nga sjellja e turpshme!

Kryeministri Edi Rama reagoi pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Kosovës, ndërsa i bëri thirrje opozitës të distancohet nga kjo sjellje që e quajti “të turpshme”. Shefi i qeverisë theksoi:

Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit.

Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta.

Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës.

Deputetët e Partisë Demokratike në opozitë sulmuan fizikisht kryeministrin Albin Kurti teksa fliste në foltore për situatën në veri. Opozita thërriste “gënjeshtar”.

Fillimisht, drejt zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi nga foltorja e grisi një foto-montazh të kryeministrit me hundë të zgjatur. Aty e kishin vënë deputetë të opozitës. Kjo çoi deri në përplasje fizike, edhe me përfshirjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati.  Për të ndalur përleshjet ndërhynë truprojat e Kurtit e policia e Kosovës. PDK-ja rrethoi foltoren që kryeministri të mos vazhdonte fjalimin.

Ditët e fundit, opozita ka qenë kritike ndaj qeverisë pasi në mediat në Kosovë dolën përgjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ku pranonte se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Milan Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe gjithashtu rezulton në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Po ashtu, kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.