Aktualitet

Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka: Ndalni sulmin mbi mediat!

Deputetja e PD-së, Flutura Açka, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik e dënon ashpër sulmin e mesnatës ndaj Top Channel. Në një postim shkruan se “ngjarjet e përsëritura janë shqetësuese dhe duhet të vënë në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit në mbrojtje të punonjësve të medias dhe të jetës së çdo shqiptari.

Sulmi i orëve të para mbi TOP Channel është një ngjarje e rëndë, që çoi në humbjen e jetës së punonjësit të sigurisë Pal Kola. Pak javë më parë u sulmuan pabesisht një ekip xhirimi të programit investigativ “Fiks fare” në zhavorrishtet e lumit të Tiranës.

Ngjarjet e përsëritura janë shqetësuese dhe duhet të vënë në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit në mbrojtje të punonjësve të medias dhe të jetës së çdo shqiptari.

Si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik e dënoj ashpër sulmin dhe kërkoj që organet kompetente ta zbardhin shpejt ngjarjen dhe autorët e saj.

Ngushëllime të ndjera familjes dhe mbështetje pa kushte për TOP Channel!

Ndërsa flet për sulm terrorist që rëndon klimën e vështirë në të cilën po punojnë gazetarët në Shqipëri, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë publikojnë një deklaratë solidariteti për televizionin kombëtar Top Channel:

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dënojnë me forcë sulmin terrorist me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj televizionit kombëtar Top Channel, gjatë të cilit humbi jetën roja i sigurisë.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin solidaritetin e plotë me kolegët e gjithë komunitetin e Top Channel dhe i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të ndjerit Pal Kola.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë u bëjnë thirrje agjencive ligjzbatuese për hetime të sa më të shpejta dhe transparente mbi këtë ngjarje tronditëse për gjithë komunitetin e gazetarëve.

Kjo ngjarje tejet e rëndë, ku siguria e medias vihet në pikëpyetje, veçse rëndon klimën e vështirë në të cilën po punojnë gazetarët në Shqipëri.