Aktualitet

Kufiri i gjelbër me Greqinë, sekuestrohen kanabis e C4!

Sekuestrohen kanabis e lëndë eksplozive në kufirin e gjelbër me Greqinë. Në pyllin mes fshatrave Kakavijë e Dritë, u pikasën tre shtetas me dy çanta, që i braktisën kur diktuan policinë dhe u larguan duke përfituar nga moti i keq, me shi e mjegull. Nga Policia Kufitare e Kakavijës, në bashkëpunim me Frontex-in dhe specialistët e Narkotikëve në Gjirokastër, në brendësi të çantave u zbuluan e sekuestruan rreth 45 kg kanabis, 4 kallëpe me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatorë dhe fitil zjarr-përcjellës. Për kapjen e të dyshuarve, u njoftuan shërbimet policore greke.

Njoftimi i Policisë:

Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e trafiqeve të paligjshme, shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës, në bashkëpunim me Frontex-in dhe specialistët e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kufitare, se tre shtetas po transportonin lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek, kanë koordinuar veprimet, duke krehur zonën në një perimetër të gjerë.

Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë,  shërbimet e Policisë kanë parë nëpërmjet dylbive, tre shtetas që po transportonin dy çanta në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte Policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull  janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit.

Shërbimet e Policisë kanë lajmëruar menjëherë shërbimet homologe greke dhe vijon krehja e zonës në një perimetër të gjerë, për të bërë të mundur kapjen e tyre.
Grupi hetimor, gjatë kontrollit në çanta, gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, me peshë totale 44.5 kg, 4 kallëpë me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatorë dhe fitil zjarr-përcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vijojnë punën  për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.