Aktualitet Bota

Kujtesë: Nesër ndryshon ora dhe flejmë 60 minuta më shumë!

Këtë të diel, pra nesër, kthehet ora diellore që deri më 31 mars 2024 zëvendëson atë ligjore dhe në 03:00 të mëngjesit të 29 tetorit 2023, akrepat shkojnë 60 minuta pas, duke shënuar 02:00. Kjo do të thotë një orë gjumë më shumë, por humbasim 60 minuta dritë natyrale, errësohet më shpejt. Sa herë ndryshon ora, riaktivizohet debati gjithnjë e më aktiv në nivel europian mbi efektet e ndyshimit.

Në vitin 2018, me 84% të votave, Parlamenti Europian u shpreh në favor të shfuqizimit të orës ligjore. Por, vendimi përfundimtar u la në dorë të secilit vend anëtar të Bashkimit Europian e deri tani, asnjë prej tyre nuk është shprehur në mënyrë përfundimtare.

Një prej arsyeve që disa shtete janë pro shfuqizimit të orës ligjore, ka të bëjë me efektet negative që ndryshimi i orës sjell në organizëm. Ora e brendshme, e cila rregullon ekuilibrat në trupin e njeriut, ndikohet nga ky ndryshim.

Prania më e vogël e dritës natyrale, vlerësohet se ka impakt negativ sidomos te individët më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e të moshuarit. Mes efekteve, ndjesia e lodhjes, mungesa e përqendrimit, çrregullime të gjumit, irritim e humor jo i mirë. Por, këto janë shqetësime kalimtare, të cilat zgjasin pak ditë.

E në fakt, për t’iu përshtatur sa më mirë orarit të ri, mjafton të mos heqim dorë nga zakonet e ditës. Nëse jemi mësuar që darkën ta konsumojmë në orën 20:00 apo të flejmë më 23:00, mirë është t’iu përmbahemi pa menduar për “orën e vjetër”. Edhe në këtë rast, përshtatja nuk do të vonojë.

Në Europë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin më pak energji elektrike.

Si ligj europian u vendos nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Në mënyrë të qëndrueshme, norma europiane përcakton datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur akrepat shkojnë 60 minuta përpara) dhe përfundimin e saj (kur shkon një orë pas). Respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.