Tech

Kuptimi që ka simboli i drynit në “Google Chrome” për ju që ende nuk e dini!

Shumë prej nesh e shohin thuajse çdo ditë ikonën e drynit në “Google Chrome”, megjithatë rezulton se shumë as ia kanë idenë se çfarë tregon ajo. Universiteti Metropolitan i Cardiff-it ka kryer një studim dhe rezultatet e tij kanë treguar, se ndërsa 63% e njerëzve mendojnë se e dinë se çfarë do të thotë kjo ikonë, vetëm 7% kanë të drejtë.

Ndryshe nga sa mendon shumica, ky simbol nuk tregon nëse “siti” është i sigurt apo jo. Simboli i drynit, sipas ekspertëve, tregon në të vërtetë nëse të dhënat e dërguara nga kompjuteri juaj janë të koduara. Fiona Carroll, e cila ishte personi që luajti rolin kryesor në këtë studim, anketoi mbi 500 persona të moshës 18 deri në 86 vjeç, të cilët i pyeti se çfarë do të thotë ‘ikona e drynit’ në Google Chrome.

Një përqindje shumë e vogël e personave të anketuar dha përgjigjen e saktë, duke thënë se të dhënat që dërgoheshin nga serveri i uebit në kompjuter janë të koduara me një sistem të quajtur HTTPS. Kjo do të thotë se të dhënat nuk mund të aksesohen nga palë të treta, por vetë faqja mund të jetë e pasigurt për këtë.

Shumë shtesa të Google Chrome mund të depërtojnë në përmbajtje private, të tilla si informacionet e postës elektronike ose bankare, duke i bërë ato një makth të mundshëm privatësie për miliona përdorues. Tani një grup studiuesish të sigurisë kibernetike kanë vërtetuar se njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm kur instalojnë shtesa pasi jo të gjitha janë të sigurta për t’u përdorur. Studiuesit në Universitetin e Wisconsin-Madison kanë krijuar një shtesë të konceptit të Chrome të aftë për të vjedhur fjalëkalime të hapura nga kodet burimore HTML të pothuajse çdo faqeje interneti.