Showbiz

Kur media i bashkohet bullizuesve virtualë: Përse modelja e “Gucci” trazoi të gjithë rrjetin?!

Ka mjaftuar një shkrim i vetëm i medias italiane “Libero Quotidiano” që e gjithë bota të njihet me modelen e Gucci, Armine Harutyunyan.

Nëse emri i saj nuk ju thotë asgjë, atëherë nuk jeni përditësuar me të rejat më të fundit. Armine është një ndër modelet e reja që i është bashkuar kompanisë gjigante Gucci shtatorin e kaluar por që kur shkeli për herë të parë në pasarelë është bullizuar ashpër.

Në komentet e fotove të 23-vjeçares nga Armenia në rrjetet sociale, gjendet një mal me fjalë ofenduese, kërcënuese, raciste e diskriminuese rreth pamjes së saj.

Bullizmi online që ajo ka përjetuar jo vetëm që ka ndikuar tek shëndeti i saj fizik e mendor por është përkeqësuar që pas shkrimit të medias italiane që shkruan negativisht për të, duke ju bashkuar të gjithë ‘ushtarëve bullizues që fshihen prapa tastierës’.

“…në sytë tanë të përulur, Armine duket e shëmtuar. Shumë e shëmtuar. Dhe ne kemi të drejtën ta mendojmë dhe ta themi këtë gjë. Kjo nuk do të thotë që ajo nuk mund të jetë një njeri i shkëlqyer, shumë inteligjente dhe mbase një profesioniste e mirë në modelim. Por, për tiparet e saj, që nuk na kujtojnë saktësisht Venerën e Botticelli-t, do të kishim preferuar një milion gra të tjera si përfaqësuese të Gucci-t” –shkruan “Libero Quotidiano” ndër të tjera në artikullin e publikuar duke ju bashkuar të gjithë personave që mendojnë njësoj.

Edhe pse jetojmë në një botë ku virtualiteti na e ka lehtësuar shprehjen e opinioneve, kjo nuk do të thotë që bullizmi të lejohet apo tolerohet. Sakaq, Gucci i ka dalë në mbrojtje Arminës duke theksuar se ajo është një ndër modelet më të mira madje është në listën e 100 personave më të bukur në botë e shumë të tjerë onlinë i janë bashkuar këtyre fakteve, zhurma që kjo ngjarje ka shkaktuar online është aq e madhe saqë e gjithë bota vazhdon të komentojë pamjen e saj si negativisht ashtu edhe pozitivisht.