Aktualitet Politikë

“Lufta e Ftohtë”, kush e sulmon shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni?

Zgjedhja nga kryeministri Rama e Vlora Hysenit si drejtore e SHISH-it, duket se ka prodhuar një “Luftë të Ftohtë”, në selinë e Inteligjencës shqiptare, të njohur si Aparati Qendror.

Reforma e nisur nga zv.drejtori Oljan Kanushi dhe e vazhduar nga Hyseni, kryesisht me lëvizje personeli, ka hedhur në sulm ata zyrtarë të SHISH-it që njiheshin si të paprekshëm prej kohës së Visho Ajazit e më pas Helidon Bendos, por edhe falë lidhjeve e shërbimeve ndaj politikës ndër vite.

Ata që dërgonin informacione  nga brenda SHISH-it e më pas servireshin si “Qytetari dixhital informon”, tashmë po tentojnë të denigrojnë shefen e SHISH-it, përmes Fake News-ve, si ai i një jave më parë kur pretendohej se kishte shkuar për disa ditë në Beograd.

Për këtë pretendim, zyrtarisht SHISH thotë:

Drejtuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit, që nga dita e marrjes së detyrës e deri më sot, nuk ka marrë pjesë në asnjë vizitë apo takim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Një zyrtar i SHISH-it në Aparatin Qendror, i pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, për arsyen e vënies në shënjestër të drejtoreshës Vlora Hyseni, në kushtet e anonimatit dha këtë përgjigje:

Shumë persona në Aparatin Qendror nuk e duan Vlora Hysenin në krye të SHISH. Arsyeja? Nuk ia gjejnë dot mikun për t’i shpëtuar lëvizjeve e vijuar së qëndruari në shërbim, jo në bazë të meritokracisë, por si shpërblim për favore ndaj politikës. Sulmet kanë ardhur nga punonjës në Aparatin Qendror, të cilët dërgojnë informacione në formën e Fake News-eve ose të ekzagjeruara te Sali Berisha dhe Flamur Noka.

I njëjti burim parashikon vazhdimin e “Luftës së Ftohtë” brenda shërbimit informativ:

Mos u habisni nëse muajt në vazhdim do të shikoni sulme të tjera ndaj Vlora Hysenit dhe SHISH-it. Janë të shumtë ata në Aparatin Qendror dhe drejtorë në bazë, të cilët nuk e mirëpritën emrin e saj, me motivin se vjen nga Kosova dhe se është e padepërtueshme në favor-bërje.

Në këtë “Luftë të Ftohtë” iniciuar nga brenda SHISH-it e të përdorur nga politika, SHBA-të çuan mesazhin e qartë në mbështetje të Vlora Hysenit.

Ambasadorja Yuri Kim vizitoi Vlora Hysenin, Drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror, për ta uruar për emërimin e ri dhe për t’i uruar suksese në këtë rol të rëndësishëm. Të dyja ranë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit të fortë SHBA-Shqipëri për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën. Ambasadorja Kim shprehu gjithashtu mbështetjen për përpjekjet e reja për të siguruar që Shqipëria të jetë në gjendje të përballojë sfidat në mënyrë efektive.

Humbja prej disa politikanëve të caktuar e disa burimeve informacioni që kishin brenda inteligjencës shqiptare është shkaku i  kostove që duhet të paguajë Vlora Hyseni, e vënë nën një sulm frontal, nxitur nga brenda institucionit me të lartë të sigurisë kombëtare./Top Channel