Aktualitet

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Altin Dumani nënshkruan Memorandum me Drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme së Spanjës!

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme së Mbretërisë së Spanjës, Alvaro Garcia Ortiz.

Ky memorandum, thotë SPAK, shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, brenda dhe jashtë vendit.

“Qëllimi i këtij Memorandum Mirëkuptimi është të konsolidojë dhe të forcojë marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit brenda kompetencës së secilit Institucion Nënshkrues, mbi bazën e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë, duke krijuar një kuadër të qëndrueshëm marrëdhëniesh dhe komunikimi të drejtpërdrejtë.

Ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre, por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e dy institucioneve shprehën besimin e tyre të thellë se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e veprimtarive të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Spanjës dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e migrantëve, trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, krimin kibernetik, dhe lloje të tjera krimesh të rënda, që përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë.

Në mbyllje, të dy palët, shprehën gatishmërinë e hedhjes së menjëhershme të hapave konkret në hetimin e çështjeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit.

Nënshkrimi i këtij Memorandum Mirëkuptimi është mbështetur nga EU4FOCAL, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian”-thuhet në njoftimin e SPAK.