Bota

Kryeministri spanjoll nuk tërhiqet/Sanchez: Do të vazhdoj drejtimin e qeverisë!

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi se ka vendosur që të qëndrojë në pushtet ndonëse nuk e kishte përjashtuar opsionin e dorëheqjes, pasi bashkëshortja e tij u vu nën hetim për korrupsion.  Sanchez doli me një njoftim të rëndësishëm:

Kam vendosur të vazhdoj të drejtoj qeverinë spanjolle.

Shefi i qeverisë së Madridit konfirmoi sot se ka vendosur të qëndrojë në krye të qeverisë, pavarësisht nga një fushatë diskreditimi, për të cilën ai akuzoi opozitën e djathtë dhe për të cilën, sipas tij, ilustrimi i fundit ishte hapja e një hetim gjyqësor ndaj bashkëshortes.

Vendosa të vazhdoj në krye të qeverisë.

Këto fjalë u thanë nga lideri socialist 52-vjeçar, në pushtet që nga viti 2018. Mitingjet e mëdha të solidaritetit të organizuara nga mbështetësit e tij në Madrid dhe qytete të tjera gjatë fundjavës duket se ndikuan në vendimin e tij, të marrë së bashku me bashkëshorten.

Më 24 prill, Sanchez njoftoi se po konsideronte dorëheqjen, pas gati gjashtë vjetësh, “për shkak të pretendimeve të pabaza” të bëra kundër bashkëshortes.

Akuzat kundër Gomezit, e cila nuk mban poste publike, u ngritën nga organizata e krahut të djathtë “Manos Limpias” (Duart e Pastra) e që më vonë pranoi se akuzat bazoheshin në raportet e mediave që mund të ishin të rreme.

Zyra e Prokurorit Publik në Madrid, javën e kaluar kërkoi dhe që një hetim paraprak për Gomezin të anulohej.

Kryeministri Edi Rama reagoi më 26 prill pas deklaratave të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, i cili tha se po mendonte të jepte dorëheqjen. Në një mesazh drejtuar Sánchez-it përmes rrjeteve sociale, Rama u shpreh se “është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë të punoj me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet te të cilat besojmë dhe për të cilat luftojmë”.

Të pasurit ju si liderin e Lëvizjes tonë Socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjen tonë nga një njeri i mençur dhe me integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen në këto kohë, kur qëndresa është më e nevojshme se kurrë kundër gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj krah jush.

Arritja juaj në krye të qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të papërkulshëm për dialog që keni realizuar për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën. Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos hiq dorë, kurrë mos u dorëzo, kurrë mos dysho që e vërteta do të triumfojë, miku im i dashur.