Aktualitet

Lufta në Izrael, MEPJ: Kthehen edhe 11 shqiptarë!

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, 11 shtetas shqiptarë udhëtuan nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh se vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

Një prej qytetareve të kthyera nga Izraeli u shpreh se jeton atje prej 29 vitesh, por situata e fundit është shumë e vështirë.

Me ndihmën e madhe dhe punën e palodhur të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, me ndihmën e ambasadës shqiptare në Izrael, u bë i mundur udhëtimi drejt Shqipërisë.

Të tjerë deklaruan:

Jemi shumë të mërzitur e të stresuar. Na qan zemra për tragjedinë që ka ndodhur ditët e fundit. Po e lëmë Izraelin me një dhimbje shumë të madhe në zemër. Falënderojmë me zemër ambasadën shqiptare dhe Ministrinë e Jashtme që kanë ndjekur situatën dhe na kanë ndihmuar me çdo gjë.

Kam kërkuar ndihmë nga ambasadat e tjera, por ambasada shqiptare në Izrael më ndihmoi shumë.

Tashmë, pritet që izraelitët të nisin pushtimin nga toka të Gazës ku prej ditës së djeshme çdo gjë është bllokuar. Nuk lejohen furnizimet ushqimore, nuk ka furnizime me ujë dhe as me energji elektrike. Për Kombet e Bashkuara, ky bllokim përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH bëri thirrje për një korridor humanitar në Rripin e Gazës. Sipas OBSH-së, 13 sulme nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë goditur objekte shëndetësore në Gaza që nga fillimi i përshkallëzimit dhe furnizimet mjekësore janë duke mbaruar. Bombat izraelite goditën objekte banimi dhe shkolla.

Në anën tjetër, Hamasi që trazoi ujërat duke sulmuar i pari më 7 tetor thotë se “deri në fund të fushatës ushtarake, nuk do të ketë negociata për pengjet që mbahen nga forcat e rezistencës”. Deklarata u bë nga lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, i cituar nga Haaretz.

Ambasadori izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Gilad Erdan konfirmoi se janë deri në 150 pengje që mbahen në Gaza të rrëmbyer në Izrael.  Pas sirenave të reja paralajmëruese që sinjalizojnë sulmet nga Gaza për në Izraelin jugor duke përfshirë qytetin Beersheba dhe zonat e Negevit, ushtria izraelite po kryen goditje në shkallë të gjerë ndaj atyre që i cilëson objektiva terroriste të Hamasit në Rripin e Gazës.