Bota

Maldive, Gjykata e Lartë i ndalon garimin në zgjedhjet e shtatorit, ish-presidentit Yameen!

Në Maldive, Gjykata e Lartë konfirmoi se ish-presidenti Abdulla Yameen Abdul Gayoom, i cili është i burgosur e ka të ndaluar të garojë në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm. Ky vendim përbën një tjetër goditje për Partinë Progresive (PPM), që pati vendosur për kandidaturën e Yameenit për votimet e reja, para se në muajin dhjetor ai të dënohej me burg për korrupsion e pastrim të parave kur ishte president.

Aktualisht, 64-vjeçari po vuan një dënim me 11 vjet burg. Gjykata e Lartë e mbajti në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur Zgjedhor për t’i ndaluar garën për president, më 9 shtator. PPM-ja nuk nxori asnjë kandidat tjetër për kryetar shteti, duke shpresuar se Yameeni do të ishte në gjendje të garonte pas ankesës në Gjykatën e Lartë në Maldive.

Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për president ishte data 3 gusht, por u zgjat me katër ditë, deri të hënën e 7 gushtit, pra nesër. Presidenti Ibrahim Mohamed Solih, i cili e mundi Yameenin në zgjedhjet e shtatorit 2018, po garon për t’u rizgjedhur.

PPM-ja shpresonte se do ta sfidonte seriozisht Solihun. Në këto kushte, burime të rezervuara brenda partisë i thanë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se tani mund të mbështesin një kandidat të jashtëm.

Në kulmin e pushtetit të tij, Yameeni i burgosi apo i detyroi të kërkonin azil figurat politike që i vlerësonte si kërcënim për sundimin e tij. Ai u kthye nga Kina dhe mori hua të mëdha për projektet e infrastrukturës, duke zemëruar Indinë, vend që tradicionalisht ka ndihmuar.

Marrëdhëniet Indi-Maldive u rregulluan pas disfatës së Yameenit më 2018-ën dhe Nju Delhi derdhi miliona dollarë në ndërtimin e rrugëve e të urave.

Yameeni kishte tentuar të mbetej në pushtet pas humbjes së papritur më 2018-ën, por u detyrua të largohej për shkak të paralajmërimit të Uashingtonit për sanksione.