Celebrities Gossip Showbiz

Mariah Carey ‘thumbon’ Eminem për herë të dytë pas 12 vitesh!

Mariah Carey është një nga këngëtaret e huaja më të suksesshme ndërkombëtarisht. Artistja shpërndau një video për fansat në rrjetet e saj sociale, ku përmendi suksesin e saj me hit-in 12-vjeçar “Obsessed”. Megjithatë, vëmendjen e tërhoqi një thumbim ndaj këngëtarit Eminem.

Ka 12 vite që prej hit-it “Obsessed” të Mariah, që do të thotë “I fiksuar”. Për shumë kohë, është supozuar se këngëtarja ia ka drejtuar pikërisht Eminem këtë këngë, pasi ai ishte “i fiksuar” pas saj.

Në një video të shkurtër që këngëtarja hodhi në Instagram, ajo bën një lëvizje teksa nga një veshje në kushte shtëpie shndërrohet me rroba tërë shkëlqim. Gjithashtu, ajo vendos një shkrim në video, ku duket se vërtet po e shijon.

Vetëm për të qeshura… Nga karantinimi i vjetshëm ku gjithçka çfarë bëja ishte të pastroja gjërat. Gëzuar ditëlindjen “Obsessed”

Vërtet ajo mund të qeshë tani, por dikur grindja mes dy këngëtarëve ishte tepër serioze në një pikë. Kujtojmë, se tensionet mes tyre nisën në vitin 2001, kur Eminem pretendoi se ata kishin dalë për rreth gjashtë muaj, një ngjarje që ajo e mohoi kategorikisht. Më pas, Eminem publikoi disa këngë që dukeshin se i drejtoheshin pikërisht asaj, me më kryesoren “Bagpipes From Bagdad.”

Ndërkohë, Mariah publikoi “Obsessed”, si një përgjigje ndaj këngëve të Eminem. Në videon e postuar, shihet Mariah e veshur me kapuç e triko që duket ekzaktësisht si një rreper, ndoshta si Eminem.

Megjithatë, këngëtarja nuk e ka përmendur ende emrin e Eminem në asnjë moment, por dyshimet vazhdojnë. Kjo pasi në postim, veç komenteve pozitive të fansave, nuk mungojnë dhe ata që komentojnë duke e vënë re ngjashmërinë mes të dyve. Njëri nga fansat komenton si më poshtë.

Eminem ti je?

Ndërkohë, edhe një tjetër komentues shkruan duke vënë re ngjashmërinë (ose jo) mes tyre.

S’është veshja e Eminem.

Me siguri, fansat janë në pritje të një komenti nga Mariah apo Eminem. Por, edhe nëse diçka e tillë nuk ndodh, ndoshta njëri nga artistët e thyen heshtjen e tij me një tjetër këngë. E vetmja gjë që dihet me siguri, është se këngët e secilit prej tyre do të mbesin hit-e muzikore.