Live From Tirana Music

Mariza Ikonomi zbulon prapaskenat e hiteve të saj më të mëdha

Si çdo të mërkurë në “Live From Tirana” i kushtojmë një hapësirë të veçantë artistëve shqiptarë që kanë prodhuar hit pas hiti dhe kanë frymëzuar breza me prurjet e tyre muzikore. Sot në studio ishte këngëtarja Mariza Ikonomi e cila zbuloi se si kanë ardhur në jetë disa nga projektet e saj muzikore, prapaskenat qesharake dhe momentet më të bukura të karrierës së saj.

“Telefonatë Zemrash” ft. Françesk Radi (1994)

“Ai ka qenë debutimi im i parë, isha shumë e vogël. Që në moshën 10-vjeçare kisha kaq shumë intriga, nuk ishte aspak e thjeshtë por momenti kur u përzgjodha për këtë bashkëpunim ishte fantastik.”

“Zjarrin Do Ta Gjej” (2001)

“Isha flakë fare, një adoleshente e veshur me të kuqe në skenë. Këtë performancë e kam shijuar shumë sepse njerëzit ishin mësuar të më shihnin me balada. Më pëlqejnë shumë edhe këto ritmet latine gjithashtu dhe kërcimin.”

“Piano e Vjetër” (2001)

“Piano e Vjetër është kënga që më ka vënë vulën sepse e para është e kompozuar prej meje dhe me tekstin e motrës time. Madje para se të bënim tekstin u bë një sherr i madh me motrën. Ishte një bashkëpunim familjar, një këngë që më erdhi si thirrje nga Universi. Kjo prurje ka marrë çmimin e look-ut, mendoja se kishte më tepër vlera sesa thjeshtë një çmim look-u.”

“Kur Mi Zbrisje Shkallët” (2003)

“Një prodhim i Top Albania Radios, i bërë nga Genti Lako. Unë kam qenë e mendimit se nuk dua të bëj kurrë muzikë folk, kjo edhe për shkak të moshës time asokohe, ama kur u realizua ka qenë diçka kaq e bukur. Madje mora çmimin e parë në “Maratonën e Këngës Popullore” dhe se prisja fare pasi isha mësuar me çmime të dyta e treta ose çmime look-u. Mbarova performancën dhe u nisa për të pirë kafe me të dashurin por nuk më lejuan të largohesha. Aty kuptova se kishte diçka që lidhej me një çmim.”

“Mysafir i Mallkuar” (2004)

“Kjo u nis si kolonë zanore e një teatri me të njejtin emër dhe pati shumë shumë sukses. Ishte periudha kur të gjithë merrnin një këngë turke ose bullgare dhe thash me vete pse mos të marr dhe unë një këngë nga Sting. Unë vdes që Sting-u ta marrë vesh që unë i kam marrë këngën madje ska problem le të më hedhë në gjyq që ta shoh të paktën një herë në jetën time me sy sepse është artisti im i preferuar.”

“Edhe Fati Qan” ft. Erion Korini (2005)

“Ka qenë një ndër ato këngë që unë e kam ndjerë shumë. Që në notat e para kuptova që doja të merrja pjesë në fetival me këtë këngë. Kur kjo këngë nuk fitoi jam mërzitur shumë dhe kam qarë. Mua më udhëheq pasioni dhe do të ishte bukur po të vlerësohej ajo këngë që e meriton jo sepse e kam bërë unë.”

“E Di” ft. Erik Lloshi (2007)

“Në klip unë do bëja atë gocën lozonjare por ndërkohë ajo makina ishte e lidhur me një furgon në llogara dhe ne të tjerët ishim të lidhur me një litar dhe unë nuk dija çfarë të bëja, të mbaja veten, kameramanin apo Erikun.”

“S’të Kam Harruar” (2008)

“Ky ka qenë albumi i dytë që unë kam bërë. Një realizim me këngë popullore të moderuara dhe gjithashtu balada, jazz, ‘rock’ dhe disa këngë të tjera shumë të bukura vlonjate.”

“Dëshirë” (2010)

“Tekstin e ka bërë motra ime dhe flet për dëshirat e vërteta që unë kisha në atë kohë dhe e kam shprehur këtë gjë.”

“Destinacion” (2013)

“Kjo këngë u realizua pas një periudhe shkëputjeje kur unë u riktheva nga Franca. Unë kam patur një qëllim kur isha e vogël, të këndoj dhe të udhëtoj në të gjithë botën dhe me zërin tim të emocionoj çdo njeri. Një pjesë të kësaj ëndrre unë e kam realizuar.”

“Unë” (2017)

“Është një moment i imi personal ku unë isha shumë indiferente ndaj çdo gjëje dhe i bëja revoltë jetës. E kam dhe me çështjen e karrierës sepse më janë bërë shumë padrejtësi por nuk e kisha për festivalin. Ishte një revoltë ndaj jetës.”