Politikë

Mblidhet Asambleja e PS, Balla: Nëse PD është gati, dora e bashkëpunimit mbetet e shtrirë

Sot është zhvilluar Asambleja Kombëtare e PS-së, ku mes të tjerash është miratuar edhe thirrja e kongresit të jashtëzakonshëm në 12 qershor dhe analiza e rezultateve të zgjedhjeve të 25 prillit në strukturat vendore.

Në prononcimin për media, pas daljes nga Asambleja, të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla tha se dora për bashkëpunim me opozitën nga ana e PS-së mbetet e shtrirë, ndërsa shtoi se edhe pas zgjedhjeve në PD do kërkohet diskutim pavarësisht se kush zgjidhet kryetar i kësaj force politike.

Ne vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë dhe dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD sa të mbarojë legjislatura parlamentare, por edhe nëse PD është gati dhe pas zgjedhjeve në PD kushdo të jetë kryetar i saj për të diskutuar për gjëra të rëndësishme në një demokraci funksionale.

Maxhoranca dhe opozita kanë detyrat e veta, por ajo që presin qytetarët prej nesh është t’i japim fund kësaj sherrnaje politike, por të gjejmë gjuhën e përbashkët për të punuar për të çuar përpara shumë reforma që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend që ne nuk e kemi.

Në Asamblenë Kombëtare, u mor vendimi për zhvillimin e analizës së rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 ku PS doli forcë fituese. Analiza do të kalojë në tre faza përmes një komisioni të posaçëm ndërsa procesi do të nisë në 15 qershor të këtij viti, deri në 15 Janar të 2022 në çdo nivel të partisë.

Në fazën e parë do të zhvillohet një analizë për rezultatet e zgjedhjeve, në periudhën 15 qershor deri më 15 nëntor. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

Faza e dytë do të përqendrohet në analizën për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative që do të zhvillohen në periudhën 15 nëntor deri më 15 dhjetor 2021.

Në fazën e tretë do të bëhet një analizë për rezultatet zgjedhore në Asambletë Socialiste të bashkive dhe shkallë qarku, në periudhën 15 dhjetor deri më 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.

Ndërkohë, më datë 12 qershor socialistët do të mbajnë kongresin e partisë, në përvjetorin e 30 të Partisë Socialiste. Më herët Edi Rama ka thënë se një arsye pse është vendosur kjo datë ka të bëjë me numrin e viteve të qeverisjes së socialistëve përllogaritur në tre mandate të fituara rresht.