Aktualitet

Mblidhet Komisioni i Reformës Territoriale, miratohen ekspertët teknikë!

Nën drejtimin e dy bashkëkryetareve, Anila Denaj dhe Dhurata Çupi, u zhvillua sot mbledhja e radhës së Komisionit të Posaçëm parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Pas miratimit të procesverbalit, mbledhja vijoi sipas rendit të ditës me miratimin e  ekspertëve teknikë të Komisionit dhe kalendarit të seancave dëgjimore, sipas propozimeve të bashkëkryetareve. Me propozim të Denajt, në cilësinë e bashkëkryetares, ekspertë teknikë të propozuar nga grupi i PS-së, u vendos të jenë Adelina Farriçi dhe Artan Shkëmbi. Ndërsa me propozim të Çupit, në cilësinë e bashkëkryetares, ekspertë teknik të propozuar nga opozita, u vendos të jenë Agron Haxhimali dhe Roland Bejko.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës dhe paraqitjen e listës së institucioneve, ekspertëve, përfaqësuesve të botës akademike dhe organizatave jofitimprurëse me të cilat do të zhvillohen dëgjesa publike në mbledhjet e radhës së komisionit të posaçëm, të caktuara për javën e ardhshme.

Bashkëkryetaret Denaj dhe Çupi paraqitën propozimet e ardhura deri më tani nga anëtarët e komisionit të posaçëm, si dhe ftuan të gjithë anëtarët që nëse kanë propozime shtesë të mund t’i paraqesin në sekretarinë teknike të komisionit të posaçëm. Pas diskutimeve, komisioni miratoi listën dhe kalendarin e seancave dëgjimore të paraqitura nga dy bashkëkryetaret.