Bota Politikë

Mediat e huaja i bëjnë jehonë zgjedhjeve në vend!

Rreth 3.6 milionë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur sot të zgjedhin Kuvendin e ri me 140 deputetë. Votimi i nisur në 07:00 të mëngjesit mbyllet në orën 19:00. Së bashku me qytetarët, në qendra të ndryshme votuese i janë bashkuar dhe shumë personazhe të botës politike.

Mediat kryesore ndërkombëtare i kanë sot ‘sytë’ nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që sipas tyre, janë më të trazuarat politike të mbajtura që pas pluralizmit në vendin tonë. “Reuters”, “AbcNews”, “Euronews”, “Swissinfo” i kanë dhënë vëmendje të veçantë zërave për shit-blerje të votave, si dhe vënë në peshore të dy forcave politike kryesore në vend, PS dhe PD, pa lënë jashtë sondazhet.

Në një atikull me titull ‘Shqiptarët votojnë për qeverinë e re me shartim në mendjen e tyre‘, “Reuters” shkruan se zgjedhjet janë ‘kokë më kokë’ mes forcave kryesore, ndërsa korrupsioni rëndon mbi votuesit në një nga kombet më të varfra të Evropës.

“Euronews”, i sheh zgjedhjet si vendimtare për anëtarësimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në të njëjtën vijë këndvështrimi i sheh zgjedhjet në Shqipëri edhe media zviceriane, “Swissinfo”. Në artikull theksohet edhe se ku janë përqendruar dy forcat politike kryesore.

Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama po kërkon një mandat të tretë, ndërsa Partia Demokratike e Lulzim Bashës dëshiron një rikthim në pushtet 8 vjet pasi humbi zgjedhjet në vendin buzë Adriatikut.

Ndërkaq, pak orë më parë është hakeruar aplikacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dhënat e votimit. Pas dy orësh ndërprerjeje, faqja u rikthye në funksion për grumbullimin dhe përpunimit e të dhënave nga të gjitha qendrat e votimit në rang republike. Ndërkaq deri në orën 14:00 të dhënat janë për 35.6% nga raportimet e 2410 qendrave të Votimit nga 5 mijë e 199 që janë në total.

Ju rikujtojmë gjithashtu se në këtë ditë dhe datë të shënuar të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë ushtruar të drejtën e votës. Të shumtë kanë qenë edhe personazhet e famshëm të vendit të cilat kanë votuar dhe këtë gjë e kanë ndarë në Instagram me të gjithë dashamirësit e tyre.