Bota

Medvedev: Bota në prag katastrofe nëse armët bërthamore bien në duart e Wagner

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev deklaroi se bota do të jetë në prag të katastrofës nëse armët bërthamore ruse bien në duart e grupit Wagner.

Medvedev tha se vendi nuk do të lejojë që një kryengritje të kthehet në grusht shteti ose një krizë globale.

Grupi Wagner po i drejtohet Moskës pasi kreu i saj Yvgeny Prigozhin ka akuzuar udhëheqjen ushtarake ruse se ka bombarduar kampet e grupit me raketa.

Wagner ka hyrë në rajonin e Lipetsk-ut që është katër orë larg Moskës.

Mercenarë dhe fabrikime
Koha e saktë e përfshirjes së Prigozhonit në botën e turbullt të kompanive ushtarake private nuk dihet saktë, mirëpo vëzhguesit e drejtojnë gishtin te konflikti në Siri – atëherë kur ka ndodhur ndërhyrja e suksesshme e Rusisë në emër të Qeverisë siriane.

Për grupin Wagner është dëgjuar më pas më 2014, kur Rusia e ka nxitur dhe financuar një konflikt në lindje të Ukrainës.

Prigozhin besohet se e ka financuar Wagnerin me vite, mirëpo në shtator të vitit 2022, pak muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, e ka pranuar hapur pronësinë mbi grupin.

Në Siri, luftëtarët e Wagnerit janë akuzuar për mizori lufte dhe për mundësi të kryerjes së krimeve të luftës.

Për mizori dhe shkelje të ngjashme, luftëtarë të Wagnerit janë akuzuar edhe në Republikën e Afrikës Qendrore, ku kompanitë e Prigozhinit kanë nënshkruar kontrata për nxjerrjen e arit dhe mineraleve tjera.

Në shtator të vitit 2013, gazetarët rusë kanë nisur të hulumtojnë për një kompani që është themeluar në paralagje të Shën Petersburgut, e quajtur Agjencia për Kërkime në internet, dhe më vonë e ka marrë namin si fabrika e lajmeve të rreme në Rusi.

Duke qenë në pronësi të rrjetit biznesor të Prigozhinit, biznesi ka punësuar njerëz për të krijuar llogari nëpër rrjete sociale dhe për të shpërndarë lajme dhe komente nxitëse.

Më 2018, dy vjet pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara është zgjedhur Donald Trump, Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka paditur Prigozhinin dhe 13 rusë tjerë, si dhe ka lëshuar fletarrestime për ta, duke i akuzuar për komplot për të kryer mashtrime zgjedhore.

Ndonëse hulumtuesit kanë debatuar se sa kanë pasur ndikim lajmet e rreme që janë shpërndarë nga biznesi i Prigozhinit te votuesit amerikanë, këto përpjekje janë parë si sukses nga vetë ai, pasi i kanë dhënë famë më të madhe.